Champions, favoritët nuk lëshojn “teren”

22.02.2017 23:18:14

Juventus arrin një sukses të rëndësishëm në ndeshjen e parë të 1/8-ave të UEFA Chamions League kundër Portos. Bardhezinjtë treguan forcë karakteri në “O Dragao” ku dominuan për 90 minuta dhe triumfuan 2-0 edhe falë kartonit të kuq të Alex Telles në minutën e 27 të takimit. Pas këtij momenti, “Zonja e Vjetër” mori frenat e lojës duke diktuar ritmin në tokën luzitane dhe pas shumë rasteve të shpërdoruara e gjeti golin e parë vetëm në minutën e 72 me kroatin Marko Pjaca i cili kishte hyrë në fushën e lojës vetëm pak minuta më parë. Goli shkarkoi tensionin në radhët e skuadrës së Allegrit që dyfishoi 120 sekonda më pas me mbrojtësin brazilian, Dani Alves. Dy zëvendësime të goditura nga ana e trajnerit toskan i cili la jashtë skuadrës për këtë ndeshje mbrojtësin Leonardo Bonucci për shkak të polemikave të krijuara gjatë ditëve të fundit. Kjo fitore e afron shumë skuadrën italiane me fazën çerekfinale të UEFA Champions League.

Sukses regjistroi edhe Sevilla që kaloi 2-1 Leicester në “Sanchez Pizjuan”. Andaluzianët e patën mundësinë e parë që në minutën e 14 kur Correa gaboi një 11 metërsh, por në të 25-ën, Sarabria kaloi në avantazh ekipin e Juan Manuel Lillo. Pjesa e parë nuk dhuroi më emocione dhe në të dytën ishte sërish Sevilla që gjeti rrugën e rrjetës me Joaquin Correa, ndërsa në krahun tjetër, Jamie Vardy riktheu në lojë ekipin e Claudio Ranierit që shpreson të kthejë disavantazhin 2-1 në favor.