“Charlie Hebdo” përfundon në gjyq

12.09.2016 22:19:34

Revista satirike “Charlie Hebdo” është vënë sërish në qendër të akuzave, këtë herë pasi ka guxuar që me kopertinën e saj të vendosë në lojë tërmetin që goditi Italine qendrore dhe që shkaktoi rreth 300 viktima.

Amatrice, qyteti i cili pati edhe dëmin më të madh nga kjo fatkeqësi natyrore, ka vendosur ta padisë revistën franceze. Në kopertinën e saj shfaqen dy njerëz të plagosur, të cilët karikaturistët i kanë cilësuar si makarona “penne me salce domate”, e ndërsa kolapsit të ndërtesave të shkatërruara i kanë vendosur nofkën “lazanje”.

Pas zemërimit që shpërtheu në Itali nga këto karikatura, revista publikoi një tjetër skicë ku shkruante: “Italianë, nuk jua ndërtoi “Charlie Hebdo” shtëpitë tuaja që u prishen aq shpejt, por mafia!”. Amatrice, shtëpia e specialitetit “Spaghetti all’Amatriciana”, u shkatërrua thuajse plotësisht nga tërmeti i 24 gushtit.

Autoritetet lokale i quajtën karikaturat si makabritet, pa sens dhe ofendim absurd i viktimave. Akuza ndaj revistës është për shpifje të rëndë. Stafi i “Charlie Hebdo” vijon me tema të ndjeshme, edhe pse në vitin 2015, 12 persona u qëlluan për vdekje në zyrat e redaksisë në Paris.