City Mall në Shkup shitet për 92 milionë euro

25.10.2016 18:26:28

Kompania shqiptare Balfin mund të thuhet se ka regjistruar një shitje rekord, për Shqipërinë dhe rajonin, të një prej projekteve të saj më të suksesshme.

Kështu, qendra e madhe tregtare Skopje City Mall, e projektuar, ndërtuar dhe menaxhuar nga Balfin MK, pjesë e Grupit Balfin, pas katër viteve jetë, u shit për shumën e 92 milionë eurove. Pronarët e rinj të kësaj qendre tregtare do të jenë Hystead Limited të Mbretërisë së Bashkuar.
Më poshtë deklarata e plotë e Balfin Group për këtë ngjarje të rëndësishme ekonomike:
“Balfin Group, grupi më i madh i investimeve në Shqipëri, ka kënaqësinë të shpallë shitjen e Skopje City Mall tek Hystead Limited në Mbretërinë e Bashkuar për 92 milionë €.
Skopje City Mall është projektuar, ndërtuar dhe menaxhuar nga Balfin MK, pjesë e Grupit Balfin, dhe është funksionale prej viti 2012. E vendosur në zonën urbane të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkupit, Skopje City Mall është qendra e parë moderne në Maqedoni me një koncept komplet të ri që sjell bashkë blerje, zbavitje dhe shoqëri. Si qendra më e madhe e këtij lloji në rajon, Skopje City Mall zhvillohet për të qenë një pikë referimi e Shkupit modern dhe destinacioni i parë i markave botërore si Inditex Group (Zara, Massimo Dutti, Bershka, Pull&Bear dhe Stradivarius), Tom Tailor, Nike, Cinneplex, Nine ëest dhe shumë të tjerave në 130 dyqanet e saj. Me mbi 7 mln vizitorë në vit, Skopje City Mall është qendra tregtare më e vizituar dhe më e suksesshme në Maqedoni.
Hystead Limited (Hystead), një kompani Britanike, është një sipërmarrje ndërmjet Hyprop Investments Limited (Hyprop) 60%, dhe PDI Investments Holdings Limited 40%. Hyprop është një Trust Publik Investimesh i Pasurive të Paluajtshme me fokus në qendrat tregtare në Afrikën e Jugut me një vlerë tregu prej më shumë se 2 miliard Euro. Blerja e Skopje City Mall është e fundit në rradhën e blerjeve të qendrave të tjera tregtare që Hystead ka realizuar në rajon prej këtij fillimviti, e cila është pjesë e strategjisë së Hystead në krijimin e një fondi Evropian në rritje të qendrave tregtare.
Balkan Finance Investment Group është një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Portofoli i investimeve të Grupit mund të kategorizohet në aktivitete për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitje me pakicë, menaxhim i hapësirave tregtare apo industriale, shërbime, telekomunikacion, fincancim i konsumatorëve, industri minerare, turizëm, energji dhe agrikulturë. Balfin Group është një aktor kryesor në tregjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare duke vepruar në 10 vende”.