Clinton e kritikon paraqitjen e Trumpit në rrjetin TV rus

10.09.2016 10:51:38

Kandidatja demokrate në zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, e ka kritikuar rivalin e saj republikan, Donald Trump, për paraqitje në rrjetin televiziv, që udhëhiqet nga shteti rus dhe për lavdërimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Duke zhvulluar fushatë mbrëmë në Nju Jork, Clinton tha se paraqitja e Trumpit në RT-America më 8 shtator, një ditë pasi e lavdëroi Putinin se është lider më i mirë se presidenti amerikan, Barack Obama, demonstron se ai nuk është i gatshëm për të shërbyer në zyrën e presidentit.

“Për çdo ditë, kjo bëhet gjithnjë e më tepër shou real televiziv”, tha Hillary Clinton, dhe ka shtuar se “nuk është fushatë serioze presidenciale dhe është përtej imagjinatës për të pasur një kandidat për president, që e lavdëron autokratin rus, siç është Vladimir Putin”, tha Hillary Clinton.

 

Kritikët thonë se rrjeti RT, që transmeton program në gjuhën ruse dhe angleze, është mjet propagandues i qeverisë së Putinit.

Zoti Trump i tha këtij rrjeti se nuk mendon se qeveria e Rusisë ka dorë në sulmin kibernetik të emailave të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, këtë vit, dhe ka shprehur dyshime në pohimet se Moska po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale amerikane, megjithqë ekspertë kibernetikë kanë konstatuar gjurmë të sulmeve në emaila nga Rusia.