Çmimet e UEFA-s, Salah shpërfill Sergio Ramos

30.08.2018 23:48:36

Mohamed Salah dhe Sergio Ramos kanë pasur takimin e parë, që pas finales së Champions Legue, ku egjiptiani nuk ruan aspak kujtime të mira.

Duket se organizatorët e UEFA-s nuk e kanë marrë aspak parasysh atë se çfarë ndodhi në atë mbrëmje, duke caktuar Ramosin të ulej një karrike pas Salah. Ndonëse kanë kaluar kohë dhe kapiteni i “Los Blancos” është shprehur se nuk ka pasur aspak qëllim për të lënduar yllin e Liverpool, duket se ky i fundit ende i mban qëndrim për atë goditje në shpatull që i kushtoi titullin, por edhe ndeshjen e parë në Kupën e Botës.

Pasi mori çmimin “mbrojtësi më i mirë i sezonit”, Ramos u kthye në vendin e tij dhe pati një kontakt me Salah duke e prekur në shpatullën e lënduar, por egjiptiani as nuk bëri më të voglin reagim.

Tensioni mes tyre ndihej që në ajër dhe duket se dyshja nuk e ka rregulluar ende marrëdhënien mes tyre që nga ajo ndeshje…