Conte, 65 milionë euro për Vidalin!

26.01.2017 20:30:22

Antonio Conte është një simpatizant i madh i mesfushorit Arturo Vidal. Nën drejtimin e trajnerit italian, 29-vjeçari ka luajtur një rol të madh te Juventus nga viti 2011 deri në vitin 2014. Dashuria ndërmjet tyre ende nuk është shuar dhe duket se Conte dëshiron ta transferojë yllin e Bayern-it te Chelsea, aty ku aktualisht ai po arrin një sukses të madh duke kryesuar në Premier League. Tekniku ka nevojë për sakrificat që “Mbreti Artur” bën në fushë.

Meqë plani i mjeshtrit të “Bluve të Londrës” nuk mund të realizohet në janar, Vidal mund të lërë bavarezët në verë. Sipas gazetës kiliane “El Mercurio”, mesfushori pritet të shitet për 65 milionë euro. Kontrata e tij në Mynih përfundon në vitin 2019. Këtë sezon ai ka shënuar një gol në kampionatin gjerman, gjatë të cilit ka vuajtur nga dëmtimet. Aktualisht Vidal ka një shqetësim në brinjë dhe do të rikthehet më 15 shkurt në Champions League.