Daci mbështet ratifikimin e Demarkacionit

Daci mbështet ratifikimin e Demarkacionit

28.02.2018 11:09:32

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Nexhat Daci, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Në një bisedë ekskluzive për emisionin “Intervista me Blerimin” në RTK, Daci tha se ka qenë kundër kësaj marrëveshjeje, por sipas tij, Deklarata presidenciale, i ka dhënë një frymëmarrje tjetër kësaj çështjeje, prandaj Kuvendi duhet të marrë vendim në interes të qytetarëve. Sipas tij, Kuvendi në kohën kur ai ishte kryeparlamentar, ka qenë më i aftë të tejkalojë kriza dhe të arrijë frymën e unitetit për tema të rëndësishme.

Daci ka folur edhe për tema të tjera, duke u ndalur te idetë për shkëmbime territoresh. Ai ka theksuar se Kosova duhet të ruajë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, duke mos lejuar që të dëmtohet në asnjë rast. Sipas tij, Gjykata Speciale, ka qenë një gabim dhe ai kishte refuzuar propozimin në kohën e UNMIK-ut për themelimin e një gjykate për të drejtat e njeriut. Daci tha se në Kosovë, drejtësia është sektori më i dobët, ndërsa shteti I kapur, ka ndikuar që arsimi universitar të jetë në gjendje të rëndë. Ai ka premtuar se ASHAK do të hapet për publikun dhe do të jetë më transparente. Daci ka mohuar politizimin e Akademisë, ndërsa ka thënë se Adem Demaçi mund të jetë anëtar i ASHAK-ut, nëse e propozon një institucion, siç parashihet në bazë të ligjit. Duke folur edhe për propozimin e kryeministrit Edi Rama për një president mbarëkombëtar, Daci ka shprehur mbështetjen e tij për këtë ide.