“Deti”, Bushati: Presidenti jep autorizim, Meta ishte në dijeni të negociatave

28.02.2018 11:03:05

Ecejaket e kërkesave reciproke midis Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës për çështjen e marrëveshjes së re të detit me Greqinë, kanë detyruar ministrin Ditmir Bushati që të paraqitet në një dëgjesë me Komisionin e Jashtëm në Kuvend.

Bushati u shpreh para deputetëve se kërkesa e dërguar nga institucioni që ai drejton tek Presidenti Ilir Meta, është për autorizim dhe jo plotfuqishmëri, pasi kjo e fundit jepet vetëm nga kreu i MEPJ.

“Të nderuar kolegë me ligjin që keni përpiluar ju Presidenti i Republikës nuk jep plotfuqishmërinë. Presidenti i Republikës jep autorizimin. Unë i kam kërkuar Presidentit për të filluar punën konkrete, me dëshirën dhe qëllimin për të arritur një marrëveshje me Greqinë. Me Presidentin e Republikës kam komunikuar në rrugë institucionale, sepse na imponon ligji dhe Kushtetuta që të kemi një bashkëpunim”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm shtoi më tej se ndryshe nga ç’pretendonte kreu i shtetit në daljen për media, ai dhe Meta janë takuar për një konsultim me njëri-tjetrin. Sipas tij, Meta ka qenë në dijeni të negociatave me Greqinë që kur ai ishte në krye të Kuvendit.

“Sikundër Presidenti i republikës ka qenë kryetari i Kuvendit dhe është zgjedhur me votat e mazhorancës së kaluar dhe ka qenë në dijeni të këtyre zhvillimeve që janë bërë me palën greke dhe shpresoj që në të njëjtën kohë kanë qenë edhe pjesë e vizionit të qeverisë, të reflektuar në programin 2013-2017 dhe në vijm të programit që kjo qeveri ka prezantuar për politikën e jashtme. Më vjen mirë që mbrëmë Presidenti e ka pranuar se edhe para Korçës unë jam takuar me të”, deklaroi Bushati.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha në komisionin e Jashtëm parlamentar se grupi negociator nuk diskutohet në publik dhe se deklaratat për emra nonimal i intimidojnë dhe demotivojnë ata.

“E ka bërë publik faktin që për këta emra ka kërkuar një verifikim nga instancat shtetërore përkatëse, po ju them para se të procedonim për këta emra ne kemi bërë verifikimin tonë. Institucionet do të përgjigjen për këtë çështje por nuk është absolutisht normale për një shtet që të diskutojë emrat në publik dhe të fillojë linçimi i tyre. Përgjegjësia për këtë proces, është përgjegjësi politike. Kush ka vërejtje për emra individualë i drejtohet instancave shtetërore. Ndërsa këtu, nuk është në tagrin e Parlamentit, nuk është Parlamenti as SHISH, as DSIK, as SHIU. Kush ka interes për të ditur historikun e x e y le ti drejtohet mbi bazën e rregullave instancave përkatëse. E para tentojmë ti intimidojmë dhe demotivojmë, e dyta japin sinjal të keq dhe fqinjëve që duam të negociojmë një marrëveshje të re”, tha Bushati.