Dega e LDK-se ne Gjermani, e gatshme per zgjedhje

26.03.2019 20:45:48

Kryesia e Degës së LDK-së në Gjermani mbajti mbledhjen e saj të rregullt më 24.03.19 në qytetin Offenbach. Në fillim të takimit me një minutë heshtje u nderua Ibrahim Ukëhaxhaj, veprimtar i devotshëm i LDK-së, ish i burgosur politik, bashkëpunëtor i komandantit Sali Çekaj dhe ushtarak i UÇK-së në radhët e Ministrisë së Mbrojtjes. Për jetën dhe veprën e të ndjerit foli Tahir Boqolli.
Kryesia shpreh brengosje të thellë për gjendjen në të cilën sot gjendet Kosova, e shkaktuar përmes veprimtarisë antikushtetuese të Presidentit dhe tërheqjes së Kryeministrit nga obligimet e tij kushtetuese në udhëheqjen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe me mënyrën e papërgjegjshme të qeverisjes së vendit. Platforma e LDK-së për dialogun paraqet bazamentin sipas së cilës do të duhej që i njëjti të zhvillohet. Vlerësojmë lartë punën e fraksionit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet në Degën e LDK-së në Gjermani do të mbahen në bazë të Statutit të LDK-së. Për këtë presim edhe përkrahjen e Kryesisë qendrore të LDK-së. Kryesia e Degës kërkon që sipas mundësive statutare, për shkak të teritorit të madh të vendit, të merret parasysh mënyra e organizimit të LDK-së në Gjermani.