Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 kishte vënë bazat e një shteti si zgjidhje kompromisi e jo të një shteti si bazë për kompromise të tjera

02.07.2018 15:23:55

Nga Rexhep Kastrati

28 vjet më parë, Kuvendi i Kosovës ka nxjerr aktin themeltar dhe legal të shtetit të Kosovës, duke rivendikuar vendimin e dhunshëm të një viti më herët për suprimimin e autonomisë së Kosovës në bazë të kushtetutës së vitit 1974, dhe duke vendosur Kosovën në pozitë të barabartë me njësitë tjera të ish-federatës jugosllave, përkatësisht në pozitën e barabartë në procesin e shpërbërjes së asaj federate.

Deklarata Kushtetuese e shpallur më 2 korrik 1990, është themeltare për shtetin e Kosovës, sepse është një dokument juridiko-kushtetues me të cilin Kosova hapte rrugën për shpalljen e Republikës së Kosovës më 7 shtator, pa të cilën nuk do të mund të shpallej as referendumi për pavarësi i vitit 1991.

Deklarata Kushtetuese e shpallur me 2 korrik 1990 është një dokument legal pasi që ajo ishte nxjerrë nga institucioni legal i Kosovës – Kuvendi i saj, dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese të kushtetutës së Kosovës të vitit 1974.

Në thelb të kësaj Deklarate, përveç anulimit të ndryshimeve të dhunshme kushtetuese të vitit 1989, qëndronte fakti se me të Kosova do të njihej veç me emërtimin Kosovë, pra jo më si Krahinë Autonome, por në pozicionin kushtetues në pritje të zhvillimeve në Jugosllavi në tërësi, pra në pozicionin kushtetues që do të ishte në përputhje me gjithë procesin e atij shteti federal.

Me këtë Deklaratë, Kosova as nuk pranonte status dytësor dhe ambigual, as nuk i paraprinte procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, që e synonin shumica e njësive federale të saj, por që Serbia kishte punuar me vite që ta detyronte Kosovën ta fillonte këtë proces, për çka e akuzonte vazhdimisht.

Deklarata kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, ishte dokumenti më i përhstatshëm dhe më i saktë juridiko-kushtetues që mund të miratohej në mënyrë legale dhe nga një institucion legal, mbi të cilin do të bazohet gjithë procesi i mëtejmë juridiko-kushtetues i lëvizjes liri, pavarësi, demokraci, derisa nuk u bë atentat politik nga linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste më 1998-1999, e që e riktheu gjithë procesin pikërisht në nivel të kësaj Deklarate dhe duke zhbërë gjithë fazat e tjera të zhvilluara deri atëherë.

Të kujtojmë se e ashtuquajtura Qeveri e Përkohshme e Kosovës në krye me Hashim Thaçin, e shpallur më 1999, kishte hequr pikërisht emërtimin Republikë, dhe duke e lënë emërtimin Kosovë. Për pasojë edhe gjithë të asdhtuquajturat ministri dhe organizma të tjerë të themeluar nga ajo, ishin pa emërtimin Republikë.

Dhe kjo ka vazhduar gjatë viteve, dhe po vazhdon edhe sot, pasi që edhe nga emërtimi i Forcave të Armatosura ishte hequr emërtimi Republikë.

Është kështu për faktin se arsyeja kryesore se përse linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste kishin dalë në skenë ishte që të hiqej emërtimi Republikë dhe Kosova të fillonte nga fillimi një proces që do të legalizonte ndarjen e saj etnike, dhe për 20 vjet të hapëronte drejt përfundimit të këtij procesi të dëmshëm për Kosovën qoftë si një “Republika Srpska”, qoftë si shkëmbim territoresh, qoftë si ndarje klasike e saj.

Të gjitha këto ishin paralajmëruar qysh gjatë luftës dhe pas saj, dhe të gjitha këto patën një zhvillim progresiv dhe të pandërprerë për të ardhur në këtë pikë ku ka arritur tash.

Së këndejmi, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 ishte dokumenti themeltar i një shteti që do të ishte zgjidhje kompromisi, shtet funksional dhe që do të përgatitej për fazat tjera të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pra edhe për bashkimin me shtetin aktual shqiptar, kurse porcesi i filluar nga linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste ishte proces për krijimin e një shteti të dobët, jofunksional dhe të gatshëm për kompromise të tjera, e që kanë të bëjnë me rregullimin e tij të brendshëm dhe me integritetin e saj territorial, si mënyrë për të filluar fazën tjetër të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë: ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Në krye të procesit në bazë të komentit themeltar të 2 korrikut 1990 ishte LDK dhe ishte procesi liri, pavarësi, demokraci, kurse në krye të procesit të filluar më 1998, ishin dhe janë linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste, kurse roli i LDK-së për të shpëtuar diçka nga procesi liri, pavarësi, demokraci, ishte shumë i dobët dhe i goditur rëndë. Në katër momente kur u mundua të shpëtohej Kosova nga një proces që po përmbyllet me mundësi krijimi të një “Republika Srpska”, me të ashtuquajturin shkëmbim territorial, apo edhe me ndarje klasike, LDK u godit rëndë: gjatë dhe pas luftës kur ndaj saj u zhvillua një luftë kriminale propagandistike dhe me vrasjen e personaliteteve të saj të rëndësishëm kur edhe rolin kryesor e mori Hashim Thaçi; në procesin negociator të Vjenës, kur vdiq presidenti Rugova dhe kur argatët e dreqit e përçanë LDK-në dhe mundësuan ardhjen e PDK-së dhe të Hashim Thaçit në pushtet, e që ishte proces që duhej të legalizonte dhe të legjitimonte ndarjen etnike të Kosovës; në çështjen e të ashtuquajturit 6 Pikësh i Ban Ki Munit; dhe në procesin negociator në Bruksel, pra në të gjitha këto momente, LDK u godit fort.

Të kujtojmë se presidenti Rugova kishte një platformë për një shtet si zgjidhje kompromisi, por për çudi, vdiq pikërisht në fillim të këtij procesi dhe LDK u përça; presidenti Sejdiu kishte refuzuar 6 Pikëshin e Ban Ki Munit, por u margjinalizua; kryeministri Mustafa kishte këmbëngulur që Asociacioni të themelohej vetëm në bazë të vëretjeve të Gjykatës kushtetuese e që do të shmangnin mundësinë e krijimit të një “Republika Srpska”, por që u rrëzua me mocion në Kuvend.

Për pasojë, jemi në një fazë kur Hashim Thaçi është tejmase i fuqishëm dhe nuk pyet për njeri, por vazhdon i palëkundur në rrugën e filluar më 1998: atë të realizimit të interesave të Serbisë në Kosovë.