Deklaratat e PD për drogën, reagon ministria: Janë suksese tonat

10.12.2016 16:16:14

Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me deklaratat e Partisë Demokratike për trafikimin e drogës drejt vendeve fqinje. Sipas Ministrisë së Brendshme, kapja e drogës në Itali dhe Greqi janë suksese të policisë shqiptare, për shkak të bashkëpunimit që është vendosur mes policive fqinje.

“Lidhur me deklaratën e mbajtur sot nga një zyrtar i PD, ku ndër të tjera thuhej se gjatë dy ditëve të fundit në Itali janë kapur rreth 4 ton drogë të ardhur nga Shqipëria, Policia e Shtetit bën me dije opinionin publik se këto qe PD i reklamon si dështime, janë suksese të policisë dhe fryt i bashkëpunimit mes strukturave policore të të dy vendeve.

Bashkëpunim që nuk ka ekzistuar më parë e që sot është në nivele të shkëlqyera.

Së pari, PD del sot në deklaratë për shtyp ndërkohë qe operacioni është zhvilluar para 2 javësh në datë 26 nëntor.

Së dyti, vetë Policia Italiane e thotë qartë në deklaratë bashkëpunimin e Policisë Shqiptare.

Kjo është deklarata e policisë italiane: “Operacioni ka nisur sapo Autoritetet e Policisë shqiptare, nëpërmjet Nuklit Detar të Guardia di Financës me bazë në Durrës, kanë njoftuar për praninë e një mjeti të dyshimtë që drejtohej për nga brigjet italiane”, thuhet në deklaratën e bërë nga Ministria e Brendshme.