Del video/ Ja momenti kur “policia” ekzekutoi dy biznesmenët në Laç, djemtë e Gjergjit iu përgjëruan atentatorëve

23.06.2020 12:29:48

Dosja.al ka siguruar një pamje më të qartë të atentatit të 30 majit në hotelin A&A në autostradën Laç-Mamurras. Atentatorët me në krye Eduart Lamajn, i cili akuzohet si ekzekutori i biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, kanë hyrë në ambientet e hotelit, nga porta kryesore. Në oborr, qëndron parkuar një makinë tip “Range Rover” e zezë. Përballë “Range Rover parkohet makina e autorëve, tip Volkswagen Golf 5, me targa të huaja.

Autorët hapin dy dyert, të shoferit dhe të pasagjerit mbrapa, nga ku dalin fillimisht dy persona. I pari, i veshur me jelek ushtarak, ndërsa i dyti, me tuta të kuqe dhe me një pelerinë që lexon policia.

Të dy janë të veshur me kapuç, ndërsa atentatori, i dyshuar si Eduart Lamaj, mban në dorë një armë të gjatë, tip kallashnikov. Ai shkon direkt e brenda në hotel, ndërsa shoku i tij, nxjerr nga makina “Range Rover” dy djemtë e Paulin Gjergjit. Sapo nxjerr jashtë dy djemtë, ai dëgjon breshërinë brenda hotelit dhe shkon menjëherë tek dera kryesore.

Njëri nga djemtë e Gjergjit shihet i terrorizuar nga plumbat, teksa ngre duart lart për t’i kërkuar atentatorëve që të mos i prekur. Në këtë moment, del në pamjet e kamerave të sigurisë së hotelit, edhe bashkëpunëtori i tretë, i veshur me një xhiboks ngjyrë blu dhe me kapuç. Bashkë me personin e veshur me jelekë ushtarakë, ata shkojnë tek dera kryesore, në kohën kur brenda hotelit po zhvillohej një “Far West”, mes Bujar Likës, Paulin Gjergjit dhe autorit Eduart Lamaj.

Pasi dëgjojnë plumbat, personi i veshur me ushtarake, hyn brenda hotelit, ndërsa ai me xhup blu qëndron jashtë. Personi me rroba ushtarake hyn brenda në hotel dhe merr autorin e plagosur, ndërsa lë edhe armën në një lule. Pasi nxjerr të plagosurin, personi i veshur me kamuflazh dhe ende i paidentifikuar, i bën thirrje djalit me xhiboks që të hyjë dhe të marrë pistoletën tek lulja.

Në këtë moment, në video shfaqet një person i cili nuk është parë më herët në asnjërin nga filmimet. I veshur me një xhup të gjatë ngjyrë bezhë, ai vrapon me armë në dorë drejt të plagosurit, dhe tenton ta ngrejë i vetëm por nuk ia del dot. Në këtë moment, personi i veshur me ushtarake nxiton të ndezë makinën ndërsa dy djemtë marrin Lamajn, i cili është plagosur nga shkëmbimi i zjarrit në hotel.

E gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë, dhe është parë nga dy djemtë e Paulin Gjergjit që kanë ngelur të shokuar nga e gjithë ngjarja.

Me të hipur të plagosurin në makinë, ata mbyllin dyert me shpejtësi dhe largohen nga vendngjarja. Rrugës për të humbur gjurmët, dyshohet se ata kanë plagosur dhe Kreshnik Tushën, 21-vjeçarin e arrestuar më herët si autor i ngjarjes, por që tashmë rezulton i plagosur nga atentatorët, pasi dyshuan se ky i fundit iu kishte ngritur një pritë.

I arrestuar tashmë si autori kryesor i ngjarjes është 30-vjeçari Eduart Lamaj, që është edhe në spitalin e Traumës bashkë me dy mjekët që pranuan ta mjekonin fshehurazi, Besnik Lame, 46 vjeç, kirurg tek Ushtaraku dhe Viktor Marku, 42 vjeç, ortoped në Lezhë. Në kërkim janë shpallur tre bashkëpunëtorët e Lamajt, që shihen në këto pamje. Ata dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, vrasësish me pagesë dhe kanë realizuar një sërë ngjarjesh të tjera në disa qytete të vendit.