Delawie: Në veri po sfidohet prokuroria

27.01.2018 14:01:47

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, ka ftuar prokurorët që të vazhdojnë punën e tyre të pakompromis luftën ndaj korrupsionit.

Delawie tha se dy prej prioriteteve të tij janë ta ndihmojnë Kosovën në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“Populli i Kosovës nuk beson që institucionet e sundimit të ligjit punojnë seriozisht për ta luftuar korrupsionin. Ju duhet të punoni në mënyrë vendimtare dhe ta ndryshoni këtë, sepse fundja ju i prini kësaj lufte dhe sytë e kosovarëve janë në juve. Korrupsioni ndal zhvillimin e demokracisë ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe thekson pabarazinë sociale. Ju nxis të gjithëve që profesionalisht t’i ndiqni penalisht të gjitha rastet e korrupsionit me profesionalizëm dhe përkushtim”, tha Delawie, raporton KP.

Delawie po ashtu la ftuar rasti i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq të hetohet me profesionalizëm.

“Për fat të keq prokuroria në veri po sfidohet me presionin që vjen nga rastet e profilit të lartë dhe rasti tragjik i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Mendoj që është thelbësore që ky rast të kryhet me gjithë profesionalizmin pa marrë parasysh sfidën”, tha ai.