Demaçi vlerësohet model i veprimtarit atdhetar

01.10.2016 15:43:51

Adem Demaçi ishte model i veprimtarit atdhetar dhe intelektualit atdhetarë por njëkohësisht ishte edhe arkitekt e ndërtues urash në mes atdheut dhe bashkatdhetarëve që jetonin në shumë vende të botës. Kështu u tha në përurimin e librit me titull “Adem Demaçi-Ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”, organizuar nga Fondi “Nderi i Kombit- Adem Demaçi” dhe Shoqata e të Burgosurve Politik.

Disa pjesë të librit të kushtuar veprimtarisë së Adem Demaçit, ia lexoi bashkëshortja e tij, Xhemajlie Hoxha-Demaçi, ku ajo tregoi se deri sa ajo ia lexonte Demaçi ndjehej i mallëngjyer për shokët e tij.

Përurimi i këtij libri nisi me fragmente të nxjerra nga krijimtaria e Adem Demaçit.

Afërditë Dervishi, mbesa e Demaçit, tha se Adem Demaçi është vetë liria, të cilën shqiptarët e kanë kërkuar me shekull, kurse, si komb këta dy shekujt e fundit, ai është bërë rrugë e lirisë.

Ajo shtoi se sot i ka bashkuar ideali i bashkimit kombëtar i Adem Demaçit.

“Adem Demaçi është vetë liria, lira të cilën shqiptarët e kanë kërkuar si popull me shekuj, kurse, si komb në këta dy shekujt e fundit. Adem Demaçi me jetën e tij dhe veprimtarin atdhetare është bërë shenjë e lirisë, e rrugëve të kërkimit të saj e mjeteve për ta bërë atë e idealeve që e ushqejnë lirinë, prandaj ai është vetë liria… Është i madh dhe ndryshe nga gjithë të tjerët, sepse atij i ka hije edhe kur kritikon, edhe shan qoftë politikën e ditës, qoftë bartësit e kësaj politike që e harrojnë rrugën e idealit kombëtar… E kemi obligim intelektual dhe kombëtar që brezave që vijnë t’u lëmë trajtime me objektivitet shkencor, sidomos në këtë kohë kur aq shkrues edhe të ngjarjeve historike të cilat i trajtojnë sipas kodit të vetë. Kështu ndodh edhe me ata shkrues që dje e shanin Adem Demaçin e sot thurin vargje për të, të nderuar, edhe sot na ka bashkuar ideali i bashkimit kombëtar i Adem Demaçit”, tha Dervishi.

Veprimtarinë e Adem Demaçit e kanë vlerësuar lartë edhe Selatin Novosella dhe Hydajet Hyseni. Ky i fundit tha se Demaçi ishte ndërtues urash në mes atdheut dhe bashkatdhetarëve që jetonin në shumë vende të botës.

Në emër të fondit “Nderi i Kombit Adem Demaçi”, Sejdi Gega tha se me këtë promovim kanë dashur të nderojnë punën e Adem Demaçit.

Libri përmban rreth 30 kumtesa me një gamë të larmishme shkencore e dokumentuese, madje një sërë prej tyre edhe të pa njohura deri më tani.

Në këtë promovim morën pjesë edhe deputetë të pozitës, dhe përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje.