Panairin e vizituan 28 mijë vizitorë, bizneset kanë pritur më shumë

01.10.2016 15:49:40

Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2016” që u mbajt tri ditë në fshatin Shkabaj, e kanë vizituar 28 mijë vizitorë. Ky numër është më i vogël krahasim me pritjet që i kanë pasur organizatorët dhe bizneset pjesëmarrëse.

Në mbyllje të Panairit “Prishtina 2016”, kryatëri i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka theksuar se numri i pjesëmarrësve të kompanive ka qenë më shumë se 110 sosh, ndërsa kanë pritur që të kenë diku rreth 45 mijë vizitorë, por janë evidentuar 28 mijë.

“Nuk është ajo e pritura, por ata që kanë qenë, kanë qenë të targetuar dhe jemi të orientuar në kualitet dhe jo kuantitet”, ka thënë Gërxhaliu.

“Ky Panair ka pasur një qasje më ndryshe, duke pasur përfaqësues nga BE-ja, përfaqësues nga Odat Rajonale, dhe fakti që po ndërlidhet me Procesin e Berlinit ka dhënë një dimension strategjik këtij panairi”, ka shtuar ai.

Gërxhaliu ka theksuar se duhet të pranohet mirënjohja për sektorin privat dhe komunitetin e biznesit që po rritet me kohën, po zhvillohet me nevojat e tregut vendor, rajonal dhe evropian.

“Vizita e ministrit të Financave në mbylljen e Panairit është një motivim shtesë që të avancohet kjo formë e bashkëpunimit, që të mbështetet sektori privat, se vetëm përmes mbështetjes së sektorit privat do të arrihet zhvillimi ekonomik për të cilin ka nevojë Kosova. Zhvillimi ekonomik është garanci e stabilitetit politik, social, përshpejtimit të proceseve integruese dhe përmirësimit të imazhit të Kosovës”.

“Në qoftë se meriton dikush përkulje për këto procese definitivsh është sektori privat”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa ministri Hoti, i cili u ndau mirënjohje bizneseve pjesëmarrëse në panir, theksoi se shumica e prodhuesve në Panair janë eksportues të produkteve vendore për tregun evropian, ku kërkohen standarde të larta të cilësisë.

Ai theksoi se do të vazhdojnë ta mbështesin sektorin privat edhe më tej.

“Do të vazhdojë mbështetja për bizneset edhe më e madhe se që ka qenë deri tani. Ne jemi në përgatitje të Buxhetit për tri vitet e ardhshme dhe për vitin 2017 kemi paraparë një mbështetje edhe më të madhe për bujqësinë se që ka qenë deri më tani, në veçanti  për investimet kapitale të ndryshme në bujqësi dhe masa tjera që mbështesin këtë sektor”, ka theksuar Hoti.

Tërstena: Kërkojmë heqjen e taksës akcizore

Edhe bizneset pjesëmarrëse janë shprehur se nuk kanë qenë pritshmëritë e kënaqshme të panairit sa ipërket vizitorëve, pasi që në krahasim me të kaluarën sivjet ka pasur më pak.

Afrim Hyseni nga kompania prodhuese e produkteve të mishit “Apetit”, ka thënë për Ekonomia Online se në panair ka pasur vizitor, por jo aq sa kanë pritur.

“ Ka pasur vizitorë, por jo aq sa kemi pritur. Vizitorët që janë afruar te tenda kanë qenë të kënaqur me produktet tona… Ndërsa në treg jemi 80 për qind. Jemi në diskutim që të eksportojmë edhe ne vendet e jashtme”, ka thënë Hyseni.

Edhe Aziz Tërstena, menaxher i marketingut në kompaninë prodhuese të pijeve “BBF” është shprehur paksa skeptik lidhur me numrin e vizitorëve.

“Kemi pasur disa vizitor, mirëpo aq sa kemi pritur nuk ka pasur. Kompania jonë ka plasuar me një produkt të ri ‘Insomania’ dhe për këtë arsye kemi marrë pjesë në panair që ta lansojmë produktin”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ai ka folur edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë zhvillimit të biznesit, duke thënë se ndryshimi i politikave fiskale të bëra nga Ministria e Financave ende nuk u kanë ndihmuar si kompani.

“Kemi sfida të mëdha, sepse politikat fiskale që i ka bërë Ministria e Financave, kanë gjetur zbatim tek prodhuesit, mirëpo ende nuk na kanë ndihmuar ne si kompani”.

“Brenga më e madhe për ne si prodhues është taksa akcizore të cilën e kemi për çdo litër prej 0.04 cent, apo 54 centë për një kompletë dy litërsh. Vazhdimisht kemi kërkuar që të hiqet taksa akcizore për kompanitë e prodhimeve vendore, sepse në rajon nuk ka taksa akcizore, por vetëm në Kosovë”, ka thënë Tërstena.