Votimi i Demarkacionit me Malin e Zi është bërë ‘mollë sherri’ në Partinë e Drejtësisë, pasi që kryetari Ferid Agani po insiston që deputetja Labinotë Demi-Murtezi ta votojë në Kuvendin e Kosovës – më 1 shtator – këtë marrëveshje.
Mediat dje kanë raportuar se Ferid Agani kishte thirrur të hënën një mbledhje te Kryesisë, për të marrë qëndrim për votimin e Demarkacionit nga deputetja e tyre në Kuvendin e Kosovës. Sipas Telegrafit, kjo mbledhje kishte dështuar në mungesë kuorumi, e në të cilën nuk kishte marrë pjesë as deputetja Demi-Murtezi.
Edhe përkundër kësaj, mbrëmë Partia e Drejtësisë ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se Kryesia e Partisë së Drejtësisë në mbledhjen e mbajtur me 24 Gusht 2016, mbështeti Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës në përpjekjet për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore përkitazi me definimin e kufijve ndërkombëtar të shtetit dhe arritjen sa më të shpejtë të statusit të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.






































