Demolli – Komitetit të Senatit Amerikan: FSK e angazhuar në luftën kundër terrorizmit

29.07.2016 19:22:37

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës Haki Demolli priti në një takim zyrtar përfaqësuesit e Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbimet e Armatosura.

Ministri  Demolli e ka njoftuar delegacionin e Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura mbi zhvillimet në fushën e sigurisë në vend si dhe kërcënimet me të cilat është duke u ballafaquar Kosova, duke përmendur: terrorizmin global,  krizën e refugjatëve nga Siria si dhe kërcënimi i tretë e që është kualifikuar papunësia në vend.

Me këtë rast, ministri Demolli tha se institucionet  e shtetit kanë qenë dhe janë të angazhuara në luftën kundër terrorizmit dhe pikërisht falë angazhimit të Qeverisë së vendit.

Ministri Demolli në vazhdim u fokusua tek bashkëpunimi ndërkombëtar i MFSK-së me shumë vende anëtare të NATO-s, shtetet evropiane si dhe vende të rajonit

“Ne kemi  marrëveshje zyrtare bashkëpunimi me shumë vende mike dhe të gjithë i çmojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer por partner i yni strategjik mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkatësisht Garda Kombëtare e Ajovës’’, ka thënë Demolli.

Demolli vuri theksin tek përgatitjet dhe planifikimet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Ministri Demolli tha se jemi përkushtuar për procesin, transparent, të transformimit dhe se kemi marrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjor dhe procedural dhe se aktualisht  jemi në fazën e pritjes së vendimit politik që do të merret nga institucionet më të larta të vendit.

Nga ana e tij, sipas një njoftimi thuhet se kryesuesi i delegacionit të Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura, Tom Goffus tha se Shtetet e bashkuara të Amerikës janë të interesuar për sigurinë,  stabilitetin e Kosovës dhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, duke ditur që stabiliteti i Kosovës varet edhe nga stabiliteti në rajon.

Sa i përket çështjes së transformimit të FSK-së në FAK, Tom Goffus tha se sa më transparent të jeni aq më të besueshëm do të jeni. Më tej zotëri Goffus u interesua mbi disa çështje operacionale si nivelin e nderveprueshmërisë me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë.

Në fund të fjalës së tij, kryesuesi i Komitetit të Senatit Amerikan për Shërbime të Armatosura,  Tom Goffus ri konfirmoi se siguria dhe paqja në Kosovë janë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.