Dënohet gruaja që dhunonte të birin. Gjyshja: E ka rrahur si rrahin gjithë nënat

11.09.2016 23:39:09

Kallëzimi i një 12- vjeçari në polici për “keqtrajtim” është bërë shkak për dënimin e nënës së tij 31-vjeçare nga Gjykata e Tiranës.

I mituri E.S. nuk i ka toleruar shpullat që kishte marrë nga e ëma, Mimoza N., në një episod të ndodhur disa muaj më parë. I “revoltuar” ai ka ikur fillimisht nga shtëpia për te gjyshja e tij dhe më pas ka kallëzuar dhunën e së ëmës në polici.

Ky kallëzim ka shërbyer si fillesë për një procedim penal, që e ka dërguar të ëmën e tij në bankën e të akuzuarve në gjykatë për akuzën e “keqtrajtimit të të miturit”.

Në 5 shtator 2016, Gjykata i dha fund gjykimit të të pandehurës Mimoza N., duke e shpallur atë të fajshme për akuzën e ngritur. Nëna 31-vjeçare e tre fëmijëve të mitur nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli.

Gjykata vendosi përfundimisht pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e saj në liri me kusht për një periudhë 3-vjeçare. E pandehura nuk ka marrë pjesë në gjykim, ku është përfaqësuar nga një avokat i caktuar nga gjykata.

HISTORIA

Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, i mituri 12-vjeçar, me iniciale E.S., ka kallëzuar në polici se është keqtrajtuar nga e ëma e tij. Si rezultat i dhunës së pretenduar prej tij, ai është larguar nga banesa dhe ka shkuar të jetojë te gjyshja e tij. Gjatë hetimeve, e pandehura Mimoza N. ka pranuar se e ka qëlluar të birin.

Ajo ka pretenduar se e ka bërë këtë veprim në nerva e sipër, për arsye se i biri nuk mësonte në shkollë dhe se kishte mësuar se ai konsumonte cigare, si dhe ishte përfshirë në vjedhje. Për këtë shkak 31-vjeçarja është dërguar si e pandehur në gjykatë për akuzën e “keqtrajtimit të të miturit”.

 

 

Sipas Prokurorisë, përmes dhunës fizike dhe psikike, ajo ka cenuar integritetin fizik, psikik dhe moral të djalit të saj të mitur, E.S.

DESHMIA E DJALIT

Gjatë procesit Gjykata ka thirrur dhe pyetur si dëshmitar të miturin E.S., të birin e të pandehurës.

Në prani të një psikologeje, e cila garantoi që i mituri ishte i aftë t’i kuptonte pyetjet dhe të përgjigjej normalisht, ai ka deklaruar: “Mami më ka qëlluar me shpullë dhe unë për ta frikësuar kam shkuar në polici për ta kallëzuar. Motrën dhe vëllain e vogël i kam mbajtur nga 1 orë kur mami shkonte në punë. Për t’i ushqyer i ushqente mami. Tani mami sillet shumë mirë me mua”.

DESHMIA E GJYSHES

Gjyshja e të miturit E.S. ka theksuar gjatë dëshmisë së saj se nipi i kishte treguar se do ta kallëzonte të ëmën. “Të pandehurën Mimoza N. e kam vajzë. Nipi im E. ka ardhur në shtëpinë time dhe më ka thënë se më ka rrahur mami, sepse nuk doja të shkoja në dyqan dhe ika me shokët. I thashë do flas unë me mamin. Ai më tha do ta çoj në gjyq se kam dëgjuar në televizor se dënohet.

Unë fola me Mimozën dhe ajo më tha se djali kishte marrë rrugë të keqe, nuk shkonte në shkollë, pinte cigare. E. bënte punë vetë në shtëpi. Kur ikte Mimoza në punë, i mbante fëmijët, i lante ai, edhe sot i lan rrobat vetë. Nuk e kam parë me shenja E., për ta rrahur e ka rrahur si gjithë nënat”.