Dënohet kolegji ‘Mehmet Akif’ për shkelje të privatësisë

13.02.2018 12:24:44

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas të gjeturave nga inspektimi i zhvilluar nga Agjencia, dënoi Kolegjin ‘Mehmet Akif’ me 12.000 euro për shkelje të privatësisë përmes vëzhgimit me kamera.

Në njoftimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thuhet se me kërkesë të Agjencisë, të iniciuar më 05 maj 2016, për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Kolegjit ‘Mehmet Akif’, më 09 shkurt 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €12.000 për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave.

Zyrtarë të Agjencisë, gjatë inspektimit të zhvilluar në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, klasa mësimi si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit).

Kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamera bie ndesh me dispozitat 62 dhe 64 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit.

Në njoftim thuhet se vëzhgimi me kamera lejohet vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë, edhe atë vetëm në hyrjet e ndërtesave, por jo edhe në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete.