Dhjetë muaj burgim me kusht, ka shqiptuar të enjten Gjykata Themelore në Gjilan ndaj policit Xhevahir Gjymshiti, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse tashmë i dënuari nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit nuk është mbajtur pasi kanë munguar tani i dënuari, mbrojtësi i tij, Ekrem Pira si dhe prokurori i rastit, Isuf Sadiku, por shqiptimin e dënimit e ka kumtuar kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi.
Ndryshe, Xhevahir Gjymshiti edhe në gjykimin e parë, më 8 korrik të vitit 2016, ishte dënuar me dhjetë muaj burgim, me kusht që në afat prej dy vjetësh nuk kryen vepër të re penale.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit më 8 nëntor 2016, kishte kthyer rastin në rigjykim dhe rivendosje.
Ky gjykim është zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila pretendonte se i akuzuari gjatë periudhës prill – maj 2013, në cilësi të zyrtarit policor në Regjionin e Lindjes në Kaçanik, tek “Vija e Gjelbër”, kishte shpërdoruar detyrën zyrtare.
Sipas prokurorisë, i akuzuari përgjatë vijës kufitare Debëllde-Stanqiç, në mënyrë të vazhdueshme u kishte ndihmuar kontrabanduesve të mallrave, të fusin mallra nga territori i Maqedonisë në Kosovë. Prokuroria pretendon se i akuzuari kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm përmes celularit me kontrabandistët, ndërsa pas hetimit me masa të fshehta ishte zbuluar keqpërdorimi.






































