Shqipëri: Deputetet e PD, Ruçit: Dëno Ramën dhe dhunuesit në Parlament

27.12.2017 13:07:56

Aleanca e Grave Deputete i ka dërguar sot një letër zyrtare kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku i kërkon që të dënojë dhunën e ushtruar në seancën plenare të 18 dhjetorit ndaj dy deputeteve vajza, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi.

Në këtë letër theksohet se Ruçi duhet të marrë masa për deputetët dhe punonjësit e Policisë që ushtruan dhunë, por edhe kryeministrin Edi Rama si nxitës të këtyre akteve.

“Në cilësinë e deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtare të Aleancës së Grave Deputete, dënojmë me forcë këto akte dhune, duke kërkuar nga ana juaj, marrjen e menjëhershme të masave për të dënuar maksimalisht dhe për të vënë përpara përgjegjësisë penale dhe administrativ, deputetët burra dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, që ushtruan akte dhune ndaj grave deputete, si dhe vetë nxitësin e këtyre akteve, Edi Ramën”, thuhet në letrën drejtuar Ruçit.

Gratë deputete e kritikojnë Ruçin edhe për  mungesën e reagimit dhe përkrahjen që ai dhe kreu i qeverisë Edi Rama dhanë ndaj këtyre akteve të shëmtuara.

“Ju, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit dhe vetë Kreu i mazhorancës Edi Rama, jo vetëm nuk u distancuat nga dhuna apo nuk morët masa ndaj saj, por, nëpërmjet tolerancës dhe heshtjes tuaj, treguat se pas këtyre akteve dhe nxitës e përkrahës të tyre jeni pikërisht ju”, nënvizohet aty.

Aleanca e Grave Deputete thekson se nga Byroja e Kuvendit të Shqipërisë u ndërmor një akt i paprecedentë, ku e dhunuara Kejdi Mehmetaj dhe dhunuesi Bujar Çela u dënuan njësoj.

Në letrën e tyre thuhet ndër të tjera se “kjo provoi edhe njëherë se dhuna ndaj grave është fenomen që jo vetëm nuk luftohet nga maxhoranca juaj, por nxitës i saj është vetë Kreu i qeverisë Edi Rama”.

Aleanca e Grave Deputete beson se duke respektuar kërkesën e tyre me ndërmarrjen e hapave ligjorë të për çështjen në fjalë, kryeparlamentari Ruçi dhe mazhoranca do të tregojnë angazhim serioz kundër dhunës ndaj grave.

“Në të kundërt, nëpërmjet mosveprimit tuaj, ju do të zhbënit këtë angazhim konsensual që në ditët e para të miratimit të tij, duke treguar, edhe në këtë rast, se mbështetja ndaj Rezolutës së propozuar nga opozita ishte një akt fasadë”, argumentohet në letrën e AGD.

Anëtaret e opozitës në Aleancën e Grave Deputete ftojnë edhe koleget e Partisë Socialiste që t’i bashkohen protestës kundër dhunës ndaj grave deputete dhe grave e vajzave shqiptare.