Deputeti i PDK akuzon Lulzim Bashën: Zhduku provat, kur u arrestua ish-komandanti i UÇK-së

14.11.2020 14:24:00

Deputeti i PDK-së në Kosovë, Bekim Haxhiu, ka nxjerrë fakte të reja ndaj kryetarit të PD-së  Lulzim Basha, ku ai ishte pjesë e UNMIK-ut dikur në Kosovë.

Haxhiu tha Basha mori pjesë në bastisjen dhe arrestimin e ish komandantit të UÇK-së, Latif Gashit në vitin e 2002 me UNMIK-un.

“Basha nuk kishte lënë përshtypje të mirë tek familja Gashi me sjelljet e tij dhe për shkak se kishte humbur një ditar shumë të rëndësishëmtë Latif Gashit,” thotë ai.

Deputeti i PDK-së tha se ai ditar i cili ishte si “prova e 49”, ishte shumë i rëndësishëm pasi sqaronte të gjithë të vërtetën e Latif Gashit, por u zhduk dhe u përdor nga hetuesit e prokurorët e huaj për manipulime me ish-ushtarët e UÇK-së.

“Ka raste që i njëjti person ka marrë pjesë edhe në bastisjet e Latif Gashit në vitin 2002, kur është arrestuar për krime lufte Latif Gashi në janar të vitin 2002, Lulzim Basha ka qenë me ta, është mirë të sqarohet”, tha Haxhiu në një intervistë.

“Prova materiale 49 që ka humbur, ka qenë ditari personal i Latif Gashit, gjatë procesit hetimor është zhdukur si provë, ajo do vërtetonte se ku ka qenë Latif Gashi, por hetuesve dhe prokuroreve asaj kohe nuk ju ka interesuar si duket ajo e vërtetë, por ju ka interesuar manipulimi siç kanë bërë ndaj shumë ish-ushtarëve të UÇK-së”, tha Haxhiu.