Deputeti i VV-së: Taksa do të hiqet, s’ka dilemë

10.03.2020 23:01:53

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka njoftuar se taksa do të hiqet, bile për këtë s’ka dilemë.

Abrashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se problemi i çoroditjes së tyre publike (duke iu referuar partive politike) është prishja e strofullave të krimit nga pushteti i ri.

Postimi i plotë i Abrashit:

“Taksa do të hiqet. Këtu s’ka dilemë.

Problemi i vërtetë i çoroditjes së tyre publike është prishja e strofullave të krimit nga pushteti i ri. Pra jo nga dashuria ndaj SHBA-ve por frika nga humbja e salltaneteve. Dhe mafia këtë punë ka, mbrojtjen e territorit dhe interesave me çdo arsyetim.  Pa PANik”, ka shkruar Abrashi.

Ndryshe, sot Senatori amerikan, David Perdue ka paralajmëruar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rishqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë, në rast se kjo e fundit nuk e heq tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Paralajmërimet e senatorit Perdue janë mbështetur edhe nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell.

E këto paralajmërime nga Uashingtoni, kanë nxitur reagime të presidentit të Kosovës dhe të disa nga liderët e partive opozitare, por edhe të LDK-së, partnerit të koalicionit qeverisës të LVV-së.

Madje zyrtarë të lartë të LDK-së i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës ndaj mallrave serbe.