Deputeti socialist denoncon bllokimin rrugëve në Pukë dhe deklaron: Mos na tregoni përralla anti-Sorros

06.01.2017 17:28:02

Deputeti socialist Pjerin Ndreu është ndër të partë ligjvënës të selisë rozë që ka reaguar për situatën e vështirë të krijuar nga moti i keq sidomos në Pukë. Por më shumë sesa shqetësimi real për mungesën e borëpastruesve në aksion Vau i Dejës-Pukë, deputeti Ndreu ka shfrytëzuar këtë rast për të sulmuar LSI-në dhe përfaqësuesit e saj që shkruan një ditë më parë kundër Sorrosit dhe Spartak Ngjelës.

“Meqenëse lukunia anti Soros është picku nga virusi Berisha e nxjere foto me makina tu pastru borën ( kushedi ku jan filmu se në F Arrës jo…), për pak mbërrij vetë në terren e të shohim që borëpastrueset kan hy nëe veprim kur ka arritë një metër, që nuk kan hedhë asnjë kokërr kripë dhe që jan blloku dhe vete në rrrugë e jo më të hapin rrugë për të tjerë. Flas për Fushe Arrës e Qaf Mali. Ndërkohe bjeruni sazeve shurdhuese me përralla anti Sorros…!” –shkruan Pjerin Ndreu.

Reagimi i tij duket qartazi edhe një përgjigje për daljen e djeshme të Ministrit të Transporteve Sokol Dervishaj në Rrugën e Kombit ku ai garantoi se ishin marrë të gjitha masat për hapjen e rrugëve në zonat veriore. Por më herët deputeti Ndreu pati reaguar sërish ndaj situatës së krijuar dhe faktit që siaps tij masat nuk janë marrë aspak: “Të hetohen e penalizohen firmat e pastrimit të rrugëve, sidomos në akset që lidhin Pukën me Kukësin e Tropojën. Kanë marrë lekët e taksapaguesve dhe kanë lejuar bllokimin e rrugëve duke mos hyrë në kohë me borëpastruese. Nuk kanë hedhur asnjë gram kripë e asgjë ! Nuk do lejoj këtë sjellje turpi e të papërgjegjshme të këtyre kompanive që nën hundën tonë bejnë ca ju do qejfi, kur njerëzit rrezikojne jetën rrugëve nacionale nga bllokimi”.

Dhe për të konfirmuar se shqetësimi i tij është i drejtë, deputeti Ndreu ka postuar edhe një foto të një rruge të bllokuar ndërsa shkruan: “Sa fillon Kufiri me Puken deri ne qytet asnje borepastruese e asnje kokerr kripe. Kush ma gjen nje ne kete aks te tregoje”.