Dërguti: Demarkacioni të kthehet në pikën zero

18.09.2016 14:37:59

Javën e ardhshme mund të ndodh një takim në mes liderëve të pozitës dhe opozitës për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për të bërë zgjidhje, por fillimisht duhet gjithçka të kthehet në pikën zero. Kështu ka thënë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, gjatë një konference për media.

Ajo tha se marrëveshja e 14 shtatorit në mes Kosovës dhe Serbisë, për targat është e turpshme si çdo marrëveshje e deritashme.

“Kthimi në pikën Zero i çështjes së Demarkacionit natyrisht që është diçka pozitive dhe për ne s’do të jetë aspak problem që të takohemi e të bisedojmë për këtë teme, përndryshe në mënyrë tjetër, jo. Javën e ardhshme mendohet të mbahet një takim liderësh, por ne i kemi vrejtjet tona, nëse kjo marrëveshje kthehet në pikën Zero, atëherë padyshim që do të jemi pjesë e këtij takimi. Kjo për shkak të mirës së vendit dhe qytetarëve”, tha ajo.

Ndërsa, sa i përket kishës ortodokse në oborrin e UP-së, Dërguti tha se ai objekt është pa leje ndërtimi dhe nuk mund të quhet kishë.

”Objekti në kampus, është një objekt që nuk ka leje ndërtimi. Ai objekt nuk duhet të quhet kishë dhe thjeshtë duhet të cilësohet vetëm si objekt pa leje ndërtimi. Ai është objekt që paraqet gjenocidin dhe për ndërtesat e tilla Prishtina ka statusin, objekte të ndërtuara ilegalisht”, tha Dërguti.

Dërguti tha se marrëveshja për targat e arritur nga Kosova dhe Serbia, është e turpshme sikurse çdo marrëveshje tjetër që ka bërë Qeveria-Pronto, përgjatë pesë viteve, njofton Klan Kosova.

“Në radhë të parë targat nuk po hiqen. Kjo marrëveshje nuk është reciproke. Në këtë marrëveshje nuk është arritur dakordimi që të mos ketë targa me struktura të komunave të cilat aktualisht nuk lejohen në veri të shtetit tonë. Kjo është një situatë aspak e lakmueshme për shtetitin. Tash është vërtetuar se këto negociata po i ndihmojnë vetëm Serbisë dhe askujt tjetër. Kjo marrëveshje është e turpshme sikurse të gjitha marrëveshjet e tjera që janë bërë nga Qeveria- Pronto”, tha ajo

“Jemi në përgjithësi kundër procesit të dialogut me Serbinë. Kemi kundërshtuar të gjitha marrëveshjet dhe nuk do të bëjmë asnjë pikë kompromisi me askënd”, tha nënkryetarja e VV-së.