Instituti për Studime Politike i PDK-së realizon konsultime me ekspertë

18.09.2016 14:50:01

Instituti i sapo themeluar për Studime Politike (ISP) në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës ka realizuar sot konsultimet e para me ekspertë të pavarur të fushave të ndryshme për të identifikuar prioritetet strategjike të punës së Institutit.

Instituti është themeluar me qëllim për të promovuar idetë liberale dhe tregun e lirë përmes hulumtimeve, botimeve, fushatave multimediale dhe programeve edukative në mënyrë që të kontribuoj në avancimin e procesit të integrimit Euro-Atlantik të Republikës së Kosovës.

Instituti ndanë doktrinën Xhefersoniane për sa i përket rolit dhe madhësisë së qeverisë, pra një qeveri e vogël dhe e thjeshtë, por me kapacitetet e duhura profesionale që e bënë atë një qeveri të aftë ti përgjigjet sfidave ekonomike, sociale e politike në Kosovë.

Për të përmbushur misionin e vetë, Instituti do të ndërmarrë këto aktivitete:

–          Promovimin e dialogut kombëtar për përcaktimin e qartë të interesave shtetërore të Republikës së Kosovës për të avancuar procesin e integrimit Euro-Atlantik;

–          Promovimin e shoqërisë së hapur dhe demokratike, ku kultura politike imponon vlerën e bashkëpunimit për interesat shtetërore të Kosovës;

–          Formësimin e një politike të re kombëtare për Arsimin dhe Shëndetësinë që do të transformonte përgjegjësinë e shtetit karshi këtyre dy sfidave kyçe;

–          Mbështetjen dhe lehtësimin e krijimit të marrëdhënieve të reja dhe qasjes së komunitetit të biznesit në tregun e Bashkimit Evropian për rritjen e eksporteve kosovare, si një opsion për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim, sa i përket veprimeve të brendshme për përmirësimin ekonomisë, Instituti do të analizoj strategjinë e Derregullimit si strategji për rritjen ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit;

–          Krijimin e politikave publike që mbështesin gratë në biznes për të pas qasje më të madhe në fonde që mundësojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre afariste;

–          Avancimin e legjislacionit dhe politikat publike për të mbështetur organet e sundimit të ligjit në adresimin e sfidave emergjente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes rritjes së mbështetjes dhe pavarësisë financiare e politike;

–          Promovimin e politikave publike që ofrojnë mbështetje dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë e Kosovës që të jenë pjesë e familjes Evropiane përmes zhvillimit të potencialit të tyre intelektual;

Instituti do të mbështes Partinë Demokratike në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, me qëllim fuqizimin e funksionimit demokratik të partisë, që nënkupton se anëtarët e partisë kanë mundësi të pjesëmarrjes së vazhdueshme në proceset e brendshme vendimmarrëse. Krahas kësaj, Instituti do të angazhohet në anëtarësimin e PDK-së në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare të qendrës së djathtë