Dëshmia e vrasësit të 47-vjeçarit në Shkodër: Nuk kam dashur ta vras

09.10.2016 09:12:47

“Nuk kam dashur ta vras, por vetëm ta rrihja bashkë me shokët. Kur pashë që ai kishte armë me vete, e qëllova”, në këtë mënyrë u mbrojt para Policisë së Shkodrës autori i vrasjes të Genc Mhillajt, i arrestuar pas disa orësh nga krimi.

Jozef Mujeci, nga Lezha, e ekzekutoi 47-vjeçarin paraditen e së enjtes në rrugën Shkodër-Velipojë, ndërsa viktima po çonte miell e misër me një kamionçinë.

Mesnatën e së enjtes, Policia e Shkodrës ka arritur që të arrestojë Jozef Mujecin, 21 vjeç, të fshehur në një banesë të braktisur, në njësinë Gruemirë të bashkisë Malësi e Madhe. I riu ka qëndruar aty, në pritje për të lëvizur në një vend më të sigurt, por forcat e policisë kanë arritur që brenda 12 orëve të zbulojnë vendndodhjen e tij, duke bërë të mundur edhe arrestimin.

Jozef Mujeci akuzohet për veprat penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Mujeci dyshohet se është ndihmuar nga dy persona të tjerë, shokë të tij, të cilët e kanë shoqëruar në vendin e ngjarjes, por e kanë ndihmuar që edhe të largohet nga Mali i Jushit deri në Gruemirë të Malësisë së Madhe, teksa është fshehur në godinën e braktisur. Nga sa bëhet e ditur, policia ka arritur që të identifikojë dy personat e tjerë që kanë bashkëpunuar me autorin e vrasjes dhe janë vënë në ndjekje të tyre. Ata janë L.M. e K.M., 37 dhe 29 vjeç, por ende nuk është bërë arrestimi i tyre, shkruan “Panorama”.

Në momentin e arrestimit të 21-vjeçarit Jozef Mujeci, i akuzuar për vrasjen e Genc Mhillajt, ai nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të policisë. Mujeci nuk ka qenë i armatosur në momentin e arrestimit dhe nuk e ka pasur me vete armën e krimit me të cilën ka kryer vrasjen e Genc Mhillajt. Policia po bën kërkime për të gjetur edhe armën e zjarrit me të cilën qëlloi Jozef Mujeci, duke lënë të vrarë 47-vjeçarin.

Sipas tij, Mhillajn e ka qëlluar me një automatik, pasi ka parë që autori kishte me vete një armë pistoletë. Policia ka arritur që të zbardhë më shumë detaje për ngjarjen e rëndë ku Jozef Mujeci qëlloi për vdekje Genc Mhillajn.

Gjithçka ka nisur pas një konflikti mes tyre dy ditë përpara se të ndodhte vrasja. Në fshatin Torovicë të Lezhës Mujeci dhe Mhillaj janë konfliktuar me njëri-tjetrin pas një debati të çastit, për shkak të bllokimit të rrugës me makinë. Mes dy personave ka pasur debat e më pas fyerje dhe shtyrje karshi njëri-tjetrit.

Mujeci i ka kërkuar 47-vjeçarit t’i tërheqë fyerjet, pasi do ta pësonte, por kjo nuk ka ndodhur dhe dy ditë më vonë, u realizua dhe atentati. Pas vrasjes, i riu ka tentuar që të fshihet, i ndihmuar edhe nga dy shokë të tij, por fshehja e tij ka zgjatur vetëm 12 orë, deri sa policia ka arritur që ta arrestojë.