Familja nga Fushë Kruja: Fqinjët duan të na vrasin! (Video)

09.10.2016 09:25:19

Familja Dajlani, banorë të lagjes “Kastrioti” në Fushë Krujë, kërkojnë siguri për jetën e tyre nga policia dhe shteti.

Genc Dajlani, prind i 5 fëmijëve, iu drejtua mediave në Durrës për ndihmë, pasi konflikti i nisur disa vjet më parë me komshinjtë e tyre të familjes Miri, sipas tij, i rrezikojnë jetën atij dhe familjes.

HISTORIA

Familja Dajlani prej 7 anëtarësh e komunitetit Rom, u kthye nga autoritetet gjermane pas dy vjetësh që kishin aplikuar për azil ekonomik atje. Por kthimi në Shqipëri në shtëpinë e tyre duket një mision tejet i vështirë. Familja Dajlani është futur në një konflikt me fisin Miri në vitin 2010, dhe konflikti ka agravuar edhe më shumë më 7 korrik të 2013-s. Në këtë datë ishte ceremonia e varrimit të nënës së familjes Dajlani. Pak çaste pasi ka dalë arkëmorti prej banese, familja Dajlani është sulmuar nga familja Miri. Burrat e familjes janë përleshur, dhe familja Dajlani është larguar si rezultat i konfliktit. Xhenazeja është dërguar dhe varrosur nga Policia e Shtetit e cila shkoi me dy mjete.

Pas kësaj ngjarjeje, Genc Dajlani është larguar në Greqi aty ku kish emigruar prej vitesh. Vëllai i madh i tyre Flamur Dajlani ka lënë shtëpinë me familjen dhe ka shkuar në një qyet tjetër të vendit, ndërsa në banesë qëndron vetëm njëri prej vëllezërve që është i sëmurë.

Nga Greqia, Genc Dajlani ka shkuar në Gjermani, por tani që autoritetet gjermane i kanë kthyer në Shqipëri, ai ka frikë të shkojë në shtëpinë e tij pasi sipas tij, komshinjtë i kanë dërguar fjalë se nëse kthehet në shtëpi ka hesape për të larë.

Motra e tij Floresha Dajlani tregon se si u sulmuan, dhe si u varros nëna nga policia, sepse mbeti mbi tokë dhe të katër motrat e tre vëllezërit e saj u arratisën nga frika.

DENONCIMI

Pas denoncimit të bërë, autoritetet policore në Durrës bënë të mundur marrjen e dëshmisë dhe transportimin e familjes drejt Fushë- Krujës. Por edhe pse familja Dajlani në komisariatin e Fushë –Krujës mori garanci se nuk do t’i ndodhë asnjë gjë, ata sërish nuk kanë shkuar në shtëpi, sepse sipas tyre, nuk është bërë një ballafaqim me komshinjtë, dhe nuk kanë asnjë dokument garancie nga policia, se nuk do t’i prekë askush me dorë.

“Në polici u thirrën burrat e fisit tjetër, por erdhi vetëm një prej tyre, djali i tyre. E morën në pyetje, por unë nuk kam garanci se ata do na lënë të gjallë. Vëllai është larguar, dhe nuk shkel më në shtëpi të vet, edhe unë kam frikë, e kërkoj ndihmë nga shteti”, pohoi Genc Dajlani.

Natën e dytë kanë shkuar kanë fjetur tek të afërmit në Manzë të Durrësit, ndërsa presin nga policia një ballafaqim me palën tjetër. Në kushte të tilla, edhe ditën e sotme kjo familje po qëndron para policisë së Durrësit, me fëmijët, valixhet ashtu siç janë kthyer nga azili në Gjermani./Durreslajm/