Dëshmitari: Për vizë pune në Gjermani pagova mbi një mijë euro, Milaim Zeka më tha ta paraqes rastin në polici

27.03.2019 17:40:35
Të mërkurën në gjykimin ndaj Milaim Zekës, Edmond Kërliut dhe Ilir Krasniqit të akuzuar nga Prokuroria Speciale për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, ka dëshmuar i dëmtuari Agron Bytyqi.

Bytyqi tha se kishte shkuar në agjencinë “Ilir Krasniqi& Milaim Zeka” për tu pajisur me vizë për punë në Gjermani dhe kishte paguar 1050 euro, por nuk ishte pajisur me vizë, e as paratë nuk i ishin kompensuar atij.

Bytyqi tha se në këtë agjenci kishte folur me Blerta Sferkaj, e cila i kishte treguar procedurën e aplikimit për punë dhe përfitimin e vizës, mirëpo më pas ai nuk ishte pajisur me vizë.

Sipas Bytyqit, kishte kontaktuar në “viber”, me tani të akuzuarin Ilir Krasniqi, i cili i kishte premtuar që brenda 10 ditëve do të merrte vizën, e më pas i kishte thënë brenda tre muajve.

Pasi që premtimi i Krasniqit nuk ishte realizuar, Bytyqi tha se kishte hulumtuar për të parë nëse kjo agjenci ishte e ligjshme dhe kishte kërkuar informata në Administratën Tatimore të Kosovës, ku e kishte konfirmuar se ky subjekt kishte qenë i ligjshëm dhe aty kishte kuptuar se edhe Milaim Zeka është pjesë e agjencisë.

Ai tha se pas datës 15 korrik 2017, kur nuk kishte mundur të binte në kontakt me Krasniqin, kishte shkuar për ta takuar Milaim Zekën.

Sipas Bytyqit, dy të akuzuarit ishin shtyrë mes vete se cili ka faj, e cili jo, duke shtuar se Milaim Zeka thoshte për Ilir Krasniqin që “është mashtrues”, kurse Ilir Krasniqi i kishte thënë se Zeka “e kishte marrë në qafë”.

I dëmtuari Bytyqi tha se në takim me Zekën kishin biseduar rreth agjencisë dhe i njëjti kishte kërkuar shpjegime lidhur me punën e vizave, pasi që në emalin që ATK i kishte dërguar figuronte edhe emri i Milaim Zekës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë kom kontaktu me Milaim Zekën pasi që e kam parë se emri i tij figuron në këtë agjension, e prej momentin kur kom kontaktu me to, Milaimi më ka thënë shko në polici e paraqite rastin kundër Ilir Krasniqit me arsyetimin se i njëjti po e keqpërdorte emrin e Zekës” tha ai.

Por, Bytyqi tha se nuk kishte shkuar në polici, pasi që një gjë e çuditshme i kishte ndodhur po atë ditë, kur atë e kishte kontaktuar një zyrtar policor në “Viber” dhe i kishte thënë që “nëse ki diçka për këtë rast duhet të më kontaktosh mua se jam hetuesi që merret me këtë rast”.

Bytyqi tha se kishte qenë në punë në ato momente dhe vetëm i kishte kthyer fjalët të njëjtit zyrtar hetues se nëse dëshiron të bisedojë me të, ta thërras përmes një numri zyrtar.

Ai tha se të gjitha këto biseda i ka të ruajtura, kurse në pyetjen e gjykatësit Mustaf Tahiri se a i ka dorëzuar të njëjtat në polici, i dëmtuari u përgjigj “ku me ja dhan policisë kur ata të thirrin në viber”.

I njëjti i pyetur nga prokurori Atdhe Dema se a kishte shkuar më pas në polici, u përgjigj se pas tre muajve më 5 shtator 2017, kishte shkuar në polici dhe kishte dhënë dëshmi te hetuesi që e kishte kontaktuar në “viber”.

I dëmtuari tha se sjellja e policisë kishte qenë korrekte dhe që veten nuk e ka ndier të kërcënuar ndonjëherë, por vetëm ka qenë i frikësuar nga persona përgjegjës pasi që dihet pushteti dhe forca e tyre ekonomike, përderisa sipas tij, i kishin shkruar në privat policët në “viber”.

Ai tha se në marrëveshjen e nënshkruar dhe fletëpagesën e marrë në agjenci ku ka aplikuar për vizë pune në Gjermani nuk kishte figuruar emri i agjencisë “Ilir Krasniqi&Milaim Zeka”, por vetëm emri “Ilir Krasniqi Op”.

I akuzuari Zeka pyeti Bytyqin se a i kujtohet që në takimin në “Sëiss Diamond”, a i kishte thënë atij dhe dikujt që ka qenë me të që të marrin guximin të tubohen dhe të paraqesin rastin në polici.

Bytyqi tha se kjo është e vërtetë pasi që Zeka i kishte thënë që të lajmëronte rastin.

Ndërsa, lidhur me pagesën e bërë në vlerë prej 1050 euro, Bytyqi tha se kjo kishte qenë vetëm pagesa e parë, pasi që nëse ai do të ishte pajisur me vizë do të duhej sipas marrëveshjes që kishte me agjencinë, të njëjtës t’i paguante edhe 2500 euro, që në total janë 3500 euro.

Bytyqi tha se ishte ndierë i zhgënjyer duke pritur për vizë pune kur kishin kaluar shtatë muaj dhe i kishin thënë vazhdimisht të pres.

Ai tha se kishte takuar Milaim Zekën pasi që në agjenci ishte numri i emisionit “Pa rrotulla” dhe ky numër kishte qenë i njëjti si në portalin “Pa rrotulla”, ashtu edhe në profilin e “Ilir Krasniqi Op”.

Sipas Bytyqit, ai i kishte kërkuar paratë që i kishte paguar, sepse gjatë takimit me Zekën, ai tha se kishin diskutuar për këtë agjenci.

“Unë pagesën e kam bërë te “Ilir Krasniqi Op”, por zyra u mbyll e Ilir Krasniqi e hoqi numrin e telefonit që e kishte, e mbylli “viber”, “ëhatsapp” dhe “facebook”, e bashkëshorti i Blertës, Doni me të cilin kam kontaku në telefon më ka thënë se pas një muaji paratë e qirasë së biznesit të Ilir Krasniqit do t’i jap ty. E pas kësaj një muaj më vonë kom komuniku me Milaimin”, tha Bytyqi.

Sipas tij, gjatë takimit me Zekën, më pas ai e kishte udhëzuar që të paraqes rastin në polici me arsyetim që Ilir Krasniqi nuk është duke u lajmuar dhe po e keqpërdorte emrin e tij, e se zyrën e tij që e ka pasur në objektin e Zekës ia kishte mbyllur se po i mashtronte shqiptarët.

Në këtë gjykim janë ftuar për tu dëgjuar pesë dëshmitarë, mirëpo vetëm dy nga ta prezantuan në gjykatë.

Pas fjalës hyrëse të dhënë nga prokurori Atdhe Dema dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Florent Latifaj, Ramiz Krasniqi dhe Kujtim Kërveshi, dha dëshminë i dëmtuari Agron Bytyqi, ndërsa i dëmtuari Leotrim Lekaj do të dëgjohet seancën e radhës.

Seanca e radhës do të mbahen më 8 prill 2019 në orën 09:00.

Gjykimi ndaj Zekës dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të deputetit Milaim Zeka, Edomond Kërliu dhe Ilir Krasniqi lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu.

Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu kanë kryer disa vepra penale.

Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Ilir Krasniqi, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Krasniqi dhe Zeka, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, Krasniqi dhe Zeka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri Zeka, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.