Dështon mbledhja e Komisionit parlamentar – deputetët në pushim!

06.09.2016 11:46:57

Pavarësisht se ka përfunduar javën e kaluar sezoni pranverorë i punës në Kuvendin e Kosovës, sot ishte paralajmëruar mbajtja e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik në orën 10:00, por në mungesë të kuorumit u shty kjo mbledhje për javën tjetër.

Deputetët të cilët munguan në këtë mbledhje ishin Fatmir Rexhepi nga radhët e LDK-së, Besim Beqaj nga radhët e PDK-së, Sala Berisha Shala nga radhët e PDK-së, Enver Hoti nga Nisma, Pal Lekaj nga AAK.

Kurse, morën pjesë përveç kryetarit Mushamet Mustafa nga radhët e LDK-së, Blerim Grainca nga radhët e LDK-së, Duda Balje nga 6+ dhe Sasha Miloslavlevic nga Lista serbe.

Ky komision në rend të ditës kishte paraparë shqyrtimin e Vendimit të Qeverisë me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës për projektin e kompanisë “Envidity Energy Kosova LLC”.

 

Po ashtu Komisioni ka pasur me shqyrtuar edhe Vendimin tjetër të Qeverisë me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e kompanisë “Sharr Cem” dhe “Titan America”.

Ndryshe, sezoni pranverorë i punës së kuvendit të Kosovës është përmbyllur në seancën e javës së kaluar, kurse sezoni vjeshtorë i punës së kuvendit me rregullore të këtij institucioni më të lartë në vend mund të filloj pas datës 12 shtator.