Mustafa: Qytetarët të tregojnë çka punoi LDK e çka Vetëvendosje në Prishtinë

29.09.2017 12:15:20

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka kërkuar nga qytetarët që të shprehen se kush punoi më shumë në kryeqytet, LDK apo Vetëvendosje.

Ai me anë të një postimi në facebook ka thënë se ndaj LDK-së, para 4 viteve u zhvilluar një fushatë e egër, por përkundër kësaj LDK mori rreth 44 përqind të votave.

Mustafa ka thënë se kjo erdhi si rezultat i punës 4 vjeçare, duke përmendur edhe disa nga projektet e mëdha që ka realizuar në Prishtinë.

Postimi i plotë i Mustafës:

Qytetarë të nderuar

Kërkoj debat dhe opinionin tuaj në ditët në vijim në temën: Çfarë punoi LDK për katër vite në Prishtinë dhe çfarë punoi VV, në fusha të ndryshme

Të gjithë ne e duam një Prishtinë të ndërtuar, të zhvilluar mirë. Këtu jetojmë. Fushata dhe kritikat e ndërsjella, pa marrë parasysh kah vijnë, nuk në bën të ndihemi se i kemi zgjidhur problemet. Duhet të flasim me fakte për të mirat dhe për dobësitë.

Para rreth katër viteve u zhvillua një fushatë e gjerë kundër qeverisjes së LDK-së në Prishtinë. Por përkundër kësaj LDK, në raundin e parë mori rreth 44% të përkrahjes qytetare për Kryetar të Komunës. Të gjithë të tjerët, PDK, VV, AAK, PD, AKR, dhe partitë tjera arritën 56%. Përkrahja ishte larg më e madhe për LDK-në. Pse? Çfarë punuam?

Projektet e mëdha:

– Filluam projektin e kongjenerimit me Termokosin për ngrohjen qendrore të Prishtinës nga avulli i TC Kosova B, projekt mbi 30 milionë euro me Komisionin Evropian, KFW-në, Qeverinë dhe Komunën;

– Filluam ndërtimin e Fabrikës së re të ujit në fshatin Shkabaj, për të zgjidhur për 20 vitet e ardhshme problemin e ujit të Prishtinës. Komuna me Qeverinë e Kosovë, Qeverinë Gjermane dhe Komisionin Evropian. Projekt, po ashtu, me vlerë mbi 30 milion euro.

– Ndërtuam Sheshin Ibrahim Rugova dhe Sheshin Zahir Pajaziti me standardet më të lartë, konkurrentë me shumë sheshe të metropoleve evropiane.

Shtroj pyetjen para jush: Cilin projekt të madh për Prishtinën e filloi, ose e filloi dhe e përfundoi Vetëvendosja?

Nesër do të jap fakte për fushën e arsimit.