Destabilizimi i Kosovës dhe i rajonit – interes strategjik i Serbisë dhe i aleatëve të saj

10.09.2017 19:27:15

Nga Rexhep Kastrati

Një Qeveri që është votuar nga 61 kuvendarë dhe një ka abstenuar, logjikisht është e pritshme që do të rrëzohet vetë! Prandaj, nuk ka pse bëhet qëllim më vete dhe qëllim kryesor i angazhimit opozitar! Unë e kuptoj VV-në, e cila nuk ka mision tjetër, pos mision rrënues, diversiv dhe anarkist, por ky nuk duhet të jetë mision i të tjerëve! Nuk duhet të vazhdojmë më me logjikën e angazhimeve diversive, anarkiste dhe destabilizuese, sepse edhe ashtu shumë dëm i është bërë vendit! Vitet 2015 – 2017 nuk duhet të jenë yrrnek si duhet të sillemi, por si nuk duhet të sillemi! Kosova dhe shqiptarët nuk mund, nuk guxojnë të përfsihen në një cikël përmbysjesh, destabiliteti dhe shkatërrimi, por duhet të përqendrohen në interesat e vendit dhe ato kombëtare.

Serbia dhe aleatët e saj duan të shohin një Kosovë të çakorduar, në anarki, me institucione të bllokuara, me skena si gjatë viteve 2015-2017, të destabilizuar, sepse kështu kanë mundësi t’i realizojnë të gjitha pretendimet ndaj Kosovës, siç janë rikthimi në gjendjen që ka qenë në vitin 1999, ndarja e saj, apo edhe krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia dhe aleatët e saj janë të interesuara që në Kosovë të margjinalizohet roli dhe profili shtetformues, institucionalist i LDK-së dhe të forcohet tepër shumë pjesa tjetër e strukturuar në PAN dhe në VV. Serbia dhe aleatët e saj janë tepër të interesuara që në LDK të dominojnë klane të lidhura qoftë me PAN-in, qoftë me VV-në, sepse kështu margjinalizohet roli dhe profili i saj institucionalist.

Përballë një Qeverie të varur nga Beogradi, dhe një VV-je që është vetëm mekanizmi diversiv dhe i zjarrvënies, LDK është e vetmja shpresë për këtë vend. Serbia dhe aleatët e saj kanë punuar gjatë viteve që pushteti të mos bjerë kurrë në duart e LDK-së, por në duart e të tjerëve! Serbia dhe aleatët e saj janë duke punuar që PDK, VV, AAK, Nisma të alternohen në pushtet, pra tash PAN, nesër VV, por jo LDK.

Qeverinë e drejtuar nga LDK, Serbia dhe aleatët e saj e luftuan me të gjitha mënyrat dhe i përdorën keq partitë tjera për ta arritur këtë qëllim. Serbia dhe aleatët e saj janë tepër të interesuara për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit dhe për të filluar ndryshimin e kufijve në dëm të shqiptarëve.

Republika Srpska do të mbajë më 2018 referendum për shkëputje nga Bosnja, kurse në Maqedoni po mundohet të ruhet ndikimi serbo-rus, përkatësisht të mbahet e gjallë fryma nacionaliste e VMRO-DPMNE-së, në Mal të Zi po punohet që të destabilizohet vendi dhe të sillet në pushtet një Qeveri proserbe dhe proruse, e cila do të ndryshonte qëndrim ndaj zhvillimeve në rajon. Rasti i njëjtësimit të qëndrimit të Maqedonisë me Serbinë lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO, është një rast që duhet të kihet parasysh.