Nuhi (Rexhep) Berishës
Mund t’i mbledhësh yjet
si andrrat tona veshur me diell
e shije lirie
gonxhe pranvere dashni e pikëllim
por mallin prekje n’ lëkurë
kurrë as nesër
as njomën e ditës me lamtumirë
Fundprilli asgjë paska lëvizur nga
vendi as mosha me pushin mbi buzë
aty ku u nisëm prap t’gjeta me nofullë
zhytur n’ shuplakë dore dyzuar me
vetminë shoqe fillikat
harruar n’ dhimbën për kohën pa ne
nën hije trandafilash të egër rrëzë murit
me qerpiq e çeremide t’ vjetra
erë qyreqi më shijoi kujtimi
një shishe “jupi” mbi stolin dru paje
gjysmë e zbrazët
si atë ditë kur për herë t’ fundit u pamë
oborri me gurët e larë bilurë ngjyrosur
me rreze dielli mengjezor
as qesma ishte ndrequr rridhte pa u ndal
si tridhjete sa vjetë m’parë lugut t’ gurtë
me lmashkë kohe jeshil e bojë hini
Këmisha me katrorë vishnje e zi
t’ rrinte bukur si atëherë apo dje
as gjaku n’ krahnor t’u kishe tha
e gëzhojat e plumbave shpërndarë
nepër gurë diçka murmurisnin n’ heshtje
ç’ andërr e trishtë u trandë profecia
ofshama jote e gjatë e thirrja me za
“erdha moj se nuk erdhi ende liria
s’kam kohë për gjumë ma
dheu nuk është për mua”
oh ç’tundim malli m’shkundi përplasja
e dritares nga gjumi i idhët e fyti i tharë
Mund t’i shohë çdo natë yjet
e hënën kotele që lozë e përkdhelur
në qiellin detin e saj pa kufi
por jo kurrë ma ta prekë a shijoj andrrën
tonë për lirinë që e thurëm dje trojeve
tona cep më cep
sot prap me gjymtyrë të cunguara…
14 korrik, 2020








































