Dhuna në familje, Gjosha: Bashkëpunim mes pushteteve

06.02.2017 15:09:33

U organizua sot në Vlorë tryeza “Procesi i rehabilitimit të familjeve që kanë përjetuar dhunë psiko-socio-ekonomike”.

Të pranishme në këtë takim ishin Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, zv.Ministrja e Integrimit Europian znj.Erisa Xhixho, përfaqesues të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera të qarkut.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha theksoi rëndësinë e bashkepunimit të të gjithë aktorëve për të luftuar dhunën në familje.

“Shifrat në rritje të denoncimeve të dhunës ne familje,në një farë mase na bëjnë optimistë pasi ndryshimet ligjore në kodin penal dhe dënimet për këtë fenomen kanë bërë që sensibilizimi i grave dhe vajzave të jetë më i lartë. Por, nga ana tjetër këto shifra duhet të na bëjnë akoma dhe më të përgjegjshëm se bashkëpunimi mes pushtetit qëndror, lokal dhe shoqërisë civile duhet të jetë maksimal për tu ardhur në ndihmë këtyre familjeve”, tha Ministrja Gjosha.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehën rëndësinë e nxitjes së punësimit dhe pavarësisë ekonomike si një prej mekanizmave më efektiv për rehabilitimin e familjeve të prekura nga dhuna.

Ministrja Gjosha theksoi se janë bërë hapa përpara për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës në familje, si një prej 5 prioriteteve kyce të vendosura nga Bashkimi Europian për të ecur përpara me procesin e integrimit.

Përfaqësuesit e institucioneve shprehën gadishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në mënyrë që të luftohet ky fenomen.