Dhurata Hoxha fton qytetarët e Maqedonisë të dalin në Referendum

28.09.2018 16:42:57

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka ftuar qytetarët e Maqedonisë që të dalin në Referendum duke thënë se e diela është ditë e madhe për Maqedoninë dhe Ballkanin në tërësi.
“Nëpërmjet Referendumit, këtij mekanizmi më demokratik që njeh njerëzimi, do t’i jepet fund dilemave, jo vetëm për emrin, por edhe për përkatësinë brenda strategjive globale, Bashkim Evropian apo diku tjetër, NATO apo diku tjetër”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e saj të Facebook-ut.

Ministrja ka thënë se edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja, ishin, janë dhe mbesin krahu më i fuqishëm i sigurisë së pavarësisë tonë, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik.

“Gjithsesi, si Ministre, ftoj bashkëkombësit, të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa dallim etnie, feje apo përkatësie politike, ta thonë fjalën e vet, Po-Bashkim Evropian, Po-NATO. Unë, përkrah fuqishëm këtë rrugë jo vetëm të Maqedonisë, por të gjithë Ballkanit, si hapësirën më të dinjitetshme, më të sigurt dhe më demokratike që mund të zgjedhim, integrimin me vlerat euro-atlantike”.

Ajo ka thënë se integrimi i rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe NATO, është një rrugë pa alternativë, andaj, si tërësi, do të integrohet brenda vlerave euro-atlantike, njofton Klan Kosova.

“Qytetarë të Maqedonisë, votoni, për të tashmen dhe të ardhmen tuaj dhe fëmijëve tuaj! Ju këtë duhet ta bëni, për veten tuaj, të drejtat tuaja, për vlerat më të çmuara njerëzore e politike!”.