Mbretëria e Bashkuar një ditë më parë bëri të ditur se ka emëruar Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili u tha se do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik të rajonit.
Po ashtu, Peach u tha se do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.
Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018, ndërkaq ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Përveç Mbretërisë së Bashkuar që emëroi një ditë më parë Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, rajoni ka përfaqësues special edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që përveç që do të merren me rajonin në përgjithësi, merren edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Por, cilët janë të emëruar special nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe së fundi nga Mbretëria e Bashkuar?
Në fillim të shtatorit u njoftua zyrtarisht se Gabriel Escobar është i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, thuhej se Escobari “po punon në dialogun Kosovë – Serbi, që po lehtësohet nga BE-ja, sigurimin për anëtarësimin rajonal (Ballkanin Perëndimor) në BE dhe presionin e udhëheqësve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe respektimin e sovranitetit/integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Në një postim në Facebook, Ambasada amerikane kishte uruar përfaqësuesin e ri për Ballkanin Perëndimor, ndërsa theksonte se Escobar tashmë është duke punuar në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Urime përfaqësuesit të ri special në Ballkanin Perëndimor, zëvendës ndihmës sekretarit Gabriel Escobar! Ai tashmë është duke punuar në dialogun Serbi-Kosovë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke siguruar aderimin e rajonit në BE dhe duke ushtruar presion ndaj krerëve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe për të respektuar sovranitetin/integritetin territorial të BeH”, thuhej në postimin e Ambasadës amerikane në Kosovë.
Ndërkaq, më 3 prill 2020 ishte njoftuar se Miroslav Lajçak është edhe zyrtarisht Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Këshilli i BE-së përmes një njoftimi për media theksonte se detyra e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jetë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Mandati fillestar i Lajçakut, ish ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Prishtinë- Beograd do të jetë 12 muaj.