Dita po mbyllet me dy lajme të mira, tha kryeministri Mustafa

01.12.2016 18:08:06

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kjo e enjte për përmbyllet me dy lajme të mira. Postimin e bërë në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Po e mbyllim ditën e sotme me dy lajme shumë të mira për vendin tonë.

Republika e Kosovës është njohur zyrtarisht nga Republika e Singaporit dhe dy shtetet tona do të vendosin marrëdhënie diplomatike. Kjo njohje e çon në 113 numrin e vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës duke pasur rol të rëndësishëm në fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

Lajm shumë i mirë është edhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës i Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila i mundëson Kosovës përfitimin e 78 milionë eurove, të cilat do të përdoren për hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e mëtejmë të qeverisjes së mirë.

Kosova po ecën fuqishëm në rrugën e forcimit dhe zhvillimit të saj të gjithanshëm. T’i gëzohemi të gjithë sukseseve tona të përbashkëta e të njëpasnjëshme që po i arrijmë”, ka shkruar Mustafa.