Ditmir Bushati mbështet dialogun Kosovë-Serbi

26.01.2017 14:59:12

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur edhe provokimet nga këta të fundit.

Ai ka deklaruar se asnjë vend në botë nuk i ka qëndruar kaq pranë Kosovë, dhe hodhi poshtë akuzat se Shqipëria nuk ka reaguar pas ngjarjeve të tensionuara në veri të Kosovës.

“Fakt është që s’ka asnjë vend tjetër që i ka qendruar pranë vijimësisht Kosovës, pavarësisht muskujve e trurit që kemi në dispozicion. Për sa i përket ngjarjeve të fundit në Kosovë nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk ka reaguar, ka reaguar në nivele të ndryshme”, u shpreh Bushati.

“Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në kursin euroatlantik. Ky kuvend është i lutur të bëjë rezoluta që politika e jashtme të ushtrohet më mirë, por nga kjo foltore është e rëndësishme të ndajmë populizmin nga përgjegjësitë që duhet të marrë secili. Skenarët për luftë nuk janë për këto foltore. E vetmja gjë që duhet të biem dakort me tjetrin është që të forcojmë këtë trajektore që vijon të përforcohet që nga rënia e regjimit komunist,” tha Ditmir Bushati.

Ky reagim erdhi pas deklaratave të Ben Blushit i cili akuzoi qeverinë se qëndroi pasive ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë.