Ditmir Bushati: Të lirohet menjëherë Ramush Haradinaj

05.01.2017 10:27:06

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë. Në një postim në Facebook, Bushati thekson se Franca duhet të lirojë menjëherë Haradinajn, pasi ai është shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare.

“Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat. I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.

Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështoj sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë.

Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europaine”, thekson Bushati.