Djokovic: I zhgënjyer, kam nevojë të reflektoj

19.01.2017 20:31:13

Tenisti serb Novak Djokovic, numri 2 në botë, pësoi sot një eliminim surprizë në raundin e dytë të grand slemit të Australia Open, duke mos mbrojtur dot titullin fituar një vit më parë. Ai u mund 3-2 pas gati 5 orësh lojë nga numri 117 në botë, uzbeku David Istomin. “Përgëzoj David për fitoren, e meritoi. Luajti mjaft mirë, sidomos në momentet vendimtare, duke qenë agresiv dhe bëri shërbime të forta. Nuk mund të bëja asgjë. Natyrisht që jam i zhgënjyer për paraqitjen time në fushë, por kjo ishte një nga ato ditët ku nuk ndihesh mirë në fushë, nuk ke ritëm dhe rivali yt është në ditë të mirë”, tha Djokovic për mediat në intervistën pas ndeshjes.

I pyetur se rivalët kanë nisur të përfitojnë nga fakti se Djokovic nuk po luan mirë prej muajsh dhe guxojnë të fitojnë ndaj tij, tenisti serb pranon se ky është një faktor konkret. “Ata besojnë se mund të fitojnë ndaj meje, guxojnë, luajnë mirë. Por kjo ndodh jo vetëm ndaj meje, por ndaj të gjithë tenistëve më të mirë, pasi hyjnë në fushë duke dhënë maksimumin”, tha Djekovic, që duket se do të qëndrojë për një kohë të gjatë pushim. Teorikisht, turneu i ardhshëm ku serbi duhet të luajë është ai i Indian Wells, që zhvillohet në mars. Por mund të ketë edhe surpriza… “Nuk e di, pasi fillimisht duhet të kuptoj situatën ku ndodhem, të reflektoj.  E vetmja gjë që dua të bëj tani është të shkoj në shtëpi dhe të qëndroj me familjen time”, tha Djokovic.