DnV: Deri në orën 16:00, kanë votuar 35% e qytetarëve të katër komunave

19.05.2019 18:35:25

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, po vazhdon vëzhgimin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Sipas DnV-së procesi i votimit po vazhdon të zhvillohet i qetë.

Deri në orën 16:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë rreth 35% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.

Dalja e votuesve sipas komunave: Zubin Potok (39%), Zveçan (38%), Leposaviq(34%) dhe Mitrovicë e Veriut (33%).

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 16:00 janë:

-Votimi familjar i evidentuar në 23 vendvotime, në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet.

-Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 6 raste.

– Votimi jashtë kabinës, është vërejtur në pesë raste.

-Tentime për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë), janë evidentuar në dy raste.