Dokumenti zyrtar i rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

18.07.2018 17:39:41

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, kurse gjatë konferencës për media, Komisioneri për Punë të Brendshme dhe Migracion, Dimitris Avramopulos dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë folur lidhur me këtë çështje të shumëpritur.

Në ueb-faqen zyrtare të Komisionit Evropian, figuron dokumenti i plotë që dëshmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Sot, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka përmbushur dy kriteret për liberalizimin e vizave, atë të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Në maj të vitit 2016, Komisioni i kishte propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të rekomandohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, me qëllim që të përmbushen dy kriteret e propozuara në kohën e duhur. Komisioni tani inkurajon Parlamentin Evropian dhe Këshillin të vazhdojnë me propozimin”, thuhet në raport.