Don Lush Gjergji: Presidenti Rugova thoshte: Nëse bota na njeh për çka kemi dhe jemi, bota do të jet me ne

07.09.2018 23:51:20

Me rastin e përurimit të kompleksit memorial “Dr. Ibrahim Rugova”, që u bë sot fshatin Malaj të Rugovës, i pranishëm ishte edhe Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës.

“Sot, sikur shumë ditë dhe shumë herë jam në shoqëri me mikun, vëllanë, profetin dhe arkitektin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem shpirtërisht me të, me bashkatdhetarët e tij e sidomos me njerëzit që ishin pran tij dhe ja dhuruan Kosovës dhe Shqiptarizmit më të mirën”, tha në fillim të fjalës së tij Don Lush Gjergji, duke ju rikujtuar të pranishmëve se presidenti Rugova, ishte i suksesshëm sepse asnjëherë nuk e humbi besimin në Zotin e madh dhe në popullin shqiptar.

“Shpesh herë kërkonim shtigje dhe rrugë për popullin tonë të shkretë dhe të robëruar. Të nëpërkëmbur dhe nënçmuar, të poshtëruar dhe të sfiduar, mirëpo ai me vizionin e tij, me mendjen dhe me zemrën e tij kurrë nuk e humbi besimin në Zotin dhe në popullin shqiptar.

Presidenti ynë kishte një besim të madh dhe të pathyeshëm në Zotin dhe popullin shqiptar si dhe në miqtë tanë të SHBA-ve e po ashtu dhe selinë e shenjtë sidomos në Papën Gjon Pali i dytë”, tha Don Lush Gjergji, duke i cituar kështu disa prej fjalëve të presidentit Rugova, që ia thoshte derisa ishte gjallë.

“Do Lush, nëse bota na njeh vërtetë për atë çka kemi dhe jemi, bota do të jetë me ne. Dhe ndodhi mrekullia, Bota e madhe ndërhyri për Kosovën e vogël, sepse ishte kauza e madhe, ishte çështja e madhe dhe ishte njeriu i madh, avokati që na paraqiti para botës. Ai, shpesh herë thoshte, arma e jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët tona dhe identiteti ynë si dhe rinia jonë”, tha Don Lush Gjergji.

“Presidenti Rugova nuk është gandi i Ballkanit, ai është gandi i njerëzimit sepse dëshmoi dhe tregoi fuqinë e një populli të vogël por me vlera të mëdha. Kudo që shkojmë nëpër botë dhe paraqitemi si shqiptar, menjëherë na njohin si miqtë, dashamirët, si vëllezërit dhe bijtë shpirtëror të Ibrahim Rugovës”, tha Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovë, duke uruar dhe përgëzuar të gjithë ata që e ndihmuan realizimin e kompleksit memorial “Dr. Ibrahim Rugova”.

Autor: Mangji Gashi