Donald Trump firmos urdherin ekzekutiv për mediat sociale

29.05.2020 10:08:59

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon ngarkimin me përgjegjësi juridike të platformave të mediave sociale për materialet e postuara në to.

Urdhrin ekzekutiv, që sjell rregullime për mediat sociale, Donald Trump e firmosi me një ceremoni organizuar në Shtëpinë e Bardhë.

Në fjalën që mbajti në këtë ceremoni Trump tha se urdhri ekzekutiv parashikon ndryshimin e ligjit që nuk u ngarkon përgjegjësi kompanive të mediave sociale për përmbajtjen (materialet) e postuara nga përdoruesit e tyre.

Tani kompanitë e mediave sociale duhet të mbajnë përgjegjësi për censurën që zbatojnë kundër përdoruesve të tyre dhe për postimet që bëhen në platformat e tyre, shtoi ai.

Kur një gazetar i drejtoi pyetjen “A do ta fshini llogarinë që keni në «Twitter»”, Trumpi iu përgjigj: “Do ta bëja me shumë kënaqësi nëse ky vend do të kishte një shtyp më të lirë, por duke qenë se shtypi e media janë të padrejtë, përmes medias sociale unë komunikoj me shumë njerëz”.

Opsionin e «Twitter»-it “verifiko informacionin” Trump e cilësoi si një “aktivizëm politik” dhe pretendoi se kompanitë e mediave sociale po bëjnë “monopolizim”.

“Nëse «Twitter» do të ishte një kompani e respektuar dhe do të kisha të drejtë ligjore që ta bëja, unë do ta mbyllja edhe profilin që kam në «Twitter». Po bisedojmë me avokatët për këtë çështje, do të ndjekim një proces juridik”,- sqaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.