Drejt BE-së? Shtatë kushtet e vendosura nga Krichbaum

24.11.2016 21:42:51

Sipas dokumentit të prezantuar nga zyrtari gjerman, kriteret që duhen përmbushur janë këto:

Kushti i parë ka të bëjë me reformën në administratën publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.

Kushti i dytë ka të bëjë me reformën në drejtësi, e cila, sikurse thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.

Kushti i tretë thotë se në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.

Kushti i katërt për luftën kundër krimit të organizuar është që të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.

Kushti i pestë ka të bëjë me atë që konsiderohet “prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës, për të cilin vlerësohet se Shqipëria duhet ende të përmbushë ato pika që përmend raporti i Komisionit Europian i datës 9 nëntor 2016.

Kushti i gjashtë është që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.

Kushti i shtatë ka të bëjë me ligjin për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili, siç thotë dokumenti, duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.