Droga drejt Italisë, shkarkohet drejtori i kufirit në Portin e Durrësit

01.05.2017 12:15:14

Drejtori i kufirit dhe migracionit në Portin e Durrësit është shkarkuar. Sipas burimeve policore, Boke Budini është larguar për shkak të lejimit nga ana e doganierëve në këtë port e 8 tonëve me drogë drejt Italisë. Në vend të tij është caktuar Lindita Nushi.

Në një operacion policor të para disa javëve,me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan 18 zyrtarë policie të Portit të Durrësit, si dhe në doganat e Qafë Thanë, Durrësit e Tiranës lidhur me trafikimin e lëndës narkotike drejt Italisë.

Për të gjithë këta persona, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, të cilat u zbatuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, si edhe Policisë së Shtetit, për zbatim.

Ky hetim përfshin dy episode, rasti i parë, i ndodhur në datën 5 shkurt, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë Thanës.

Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24 mars, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord.