Duan të jenë shembull për të tjerët, Bolinas – qyteti amerikan që ua mundëson gjithë qytetarëve ta bëjnë pa pagesë testin e COVID-19

23.04.2020 12:23:47

Bolinas, qytet ky në veri të San Franciskos është qyteti i parë në SHBA që ka vendosur të kuptojë më shumë për coronavirusin – duke i testuar të gjithë qytetarët e saj.

Ky qytet në veri të Kalifornisë, mëton të bëhet i pari në SHBA që të gjithë qytetarët i ka testuar për COVID-19. Hulumtuesit shpresojnë që ky veprim do të ndihmojë të kuptojnë sesi po përhapet coronavirusi në shoqëri.

Përmes fushatës GoFundMe janë mbledhur 300 mijë dollarë për blerjen e testeve dhe pajisjeve tjera të nevojshme, e dy sipërmarrës të këtij qyteti kanë shfrytëzuar lidhjet e tyre në mënyrë që hulumtuesit nga Universiteti i Kalifornisë t’ju ndihmojnë, kurse vullnetarët lokalë kanë krijuar një ueb-faqe në të cilën qytetarët mund të regjistrohen dhe të ndihmojnë.

Për shumicën e qytetarë është e qasshme metoda “drive in” e testimit, kurse ata që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe me nevoja të veçanta, organizatat lokale jofitimprurëse së bashku me personelin mjekësor, shkojnë shtëpi më shtëpi për t’i marrë mostrat qytetarëve. Në këtë qytet nuk janë lënë anash as të pastrehët, si dhe ata që jetojnë nëpër veturat e tyre.

Mjeku Aenor Sayer është duke koordinuar çështjen e testimeve në këtë qytet, kurse qëllimi i tërë kësaj është të mësojnë më shumë për zhvillimin e antitrupave. Ai thotë se hulumtimi në tërë komunitetin është i nevojshëm, me qëllim që të mund të merret më lehtë vendimi nëse duhet zbutur masat preventive dhe të shfuqizojnë kufizimin e lëvizjes.

“Është e pakuptimtë të fillojmë me shfuqizimin e masave, pa pasur ndonjë informacion lidhur me atë se si po zhvillohet coronavirusi në komunitet”, ka shtuar Sayer.

Ai shpjegoi se për këtë nevojiten të bëhen dy lloje të testeve – testet PCR që tregojnë nëse ka infeksion të virusit në organizmin e njeriut dhe mostrat e gjakut që tregojnë ekzistencën e antitrupave.

Megjithatë testimi në Bolinas nuk është i obligueshëm, por autoritetet duan të heqin të gjitha barrierat në arritjen e qëllimit – për këtë arsye i kanë bërë testimet e disponueshme për të gjithë dhe atë pa pagesë.

Me testimin e të gjithë qytetarëve dëshiron të jetë shembull për qytetet e tjera duke i inkurajuar ta bëjnë të njëjtën gjë. Shumë komunitete ankohen se nuk po kanë teste të mjaftueshme dhe pajisje mbrojtëse.