Durrës, ndjekje penale për pronarin e skafit dhe shokun e tij italian

07.11.2016 12:36:51

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të 51-vjeçarit Adrian Jahaj dhe shokut të tij italian, të cilët çuan më këmbë dje ushtrinë dhe policinë për shpëtimin e tyre, pasi ngelën me skaf në det të hapur pa karburant.

Sipas burimeve zyrtare, ka nisur ndjekja penale për:

  • A.J. 51 vjeç, banues në Vlorë;
  • D.L. 32 vjeç, banues në Brindizi, Itali.

Policia e Durrësit thotë se ata kanë kaluar kufirin pa kryer procedurat përkatëse.

“Më datë 06.11.2016 shtetasit e mësipërm kanë qenë duke ardhur me një mjet tip “Motoskaf” me mbishkrimin “Pantera” nga Brindizi, Itali për në Shqipëri.

Në vendin e quajtur Sazan, Vlorë kanë dhënë sinjalin SOS dhe i është dhënë ndihmë nga një anije ushtarake dhe më pas mjeti është ankoruar në Portin Detar Durrës.

Nga ana e Specialistëve janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale ndaj këtyre shtetasve dhe ka rezultuar se ata kanë kaluar kufirin pa kryer procedurën përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale ‘Kalim i paligjshëm i Kufirit Shtetëror’”, deklaroi policia.