Durrës: Vdes ish-ministri, bie nga kati i 7-të i pallatit

17.01.2017 16:25:45
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një 65-vjeçar është rrëzuar nga kati i shtatë i pallatit duke gjetur menjëherë vdekjen.
Pak momente pas ngjarjes, dhe identifikimit të viktimës, u bë me dije se personi që ra nga pallati është Vladimir Hysi, i cili ka mbajtur postin e ministrit të brendshëm në periudhën nga 18 dhjetori 1991 deri më 13 prill 1992.

Policia bëri me dije se Hysi ra nga kati i 7-të i ndërtesës, pasi po rregullonte lulet në shtëpinë e motrës së tij. Nuk dihet ende si ka ndodhur ngjarja ekzaktësisht, por motra e viktimës tha se ai ishte duke rregulluar lulet hipur në një shkallë në ballkonin e apartamentit.

Hysi ka qenë i dënuar në vitin 1996 me akuzën e krimeve kundër njerëzimit, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, dhe është dënuar me 1 vit e gjysmë burg.