Dy skuadra të njohura shtyhen për Berat Gjimshitin

27.08.2016 19:33:55

Berat Gjimshiti mes Italisë dhe Gjermanisë. Mbrojtesi i Kombëtares Shqiptare i mbërritur te Atalanta në mes të sezonit të kaluar, në pamundësi për të gjetur hapësirat e nevojshme te bergamaskët po kërkon një destinacion të ri.

Për 23-vjeçarin ditët e fundit ka patur një interesim nga Krotone, që synon të përforcohet për sezonin e parë historik në Serinë A italiane. Klubi kalabrez i ka paraqitur një ofertë konkrete Atalantës, por ende nuk ka marrë një përgjigjje përfundimtare. Drejtuesit e klubit kanë kërkuar më shumë kohë pasi interesim për Gjimshitin ka patur edhe nga Gjermania, më konkretisht nga Frajburgu dhe Kaizerslauterni. Sikurse njofton Gianluca Di Marzio, gazetari italian i specializuar për merkaton, skuadra e Bundesligës ku aktivizohet Amir Abrashi, por edhe klubi i njohur që militon në Bundesligën e dytë po studiojnë mundësitë për të siguruar shërbimet e mbrojtësit shtatlartë.

Deri kur të bjerë gongu për mbylljen e merkatos Gjimshiti duhet të ketë bërë zgjedhjen e tij, sigurisht për t’u larguar nga Atalanta, ku nuk po gjen mundësinë e aktivizimit nën urdhrat e Gasperinit. Një tjetër alternativë për të ardhmen e mbrojtësit ishte Avellino, por Atalanta nuk ka ndërmend ta japë në formë huazimi, sikurse pretendonte klubi i Serisë B.

Berat Gjimshiti synon një vend titullati edhe në kombëtaren shqiptare pas tërheqjes së Lorik Canës. Për momentin në qendër të mbrojtjes kuqezi zgjedhje të para konsiderohen Mavaraj dhe Ajeti, mirëpo mbrojtësi i Torinos ka pësuar një dëmtim që e bën të pamundur grumbullimin e tij për ndeshjen me Maqedoninë në “Loro Boriçi”. Në këtë pozicion një tjetër alternativë për De Biasin është edhe Frederik Veseli, i transferuar vetëm ditë më parë tek Empoli.